Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, do të merret sërish sot në pyetje nga prokurorët e posaçëm.

SPAK do të kërkojë llogari nga ish deputeti Bllako lidhur me për procedurat e dhënies së koncesionit për inceneratorin e Fierit, gjatë periudhës që ushtronte detyrat shtetërore si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas në funksionin e “Autoritetit Kontraktues” si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

GJKKO vendosi ndaj ish-deputetit socialist masën e arrestit me burg, pas akuzave të ngritura nga SPAK për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i fuknsionarëve të lartë shtetërorë”.

Ai  dyshohet se në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Gjykata i kërkoi parlamentit autorizim për arrestimin e tij për shkak të imunitetit politik, por Bllako dorëzoi mandatin e deputetit, para se të ndodhte procedura parlamentare për shqyrtimin e kërkesës.

Akuza ndaj Bllakos u ngrit nga SPAK bashkë me 9 zyrtarë të tjerë që ishin të lidhur me procedurat e koncensionit për inceneratorin e Fierit, përfshi dhe ish-ministrin Lefter Koka i cili ndodhet në burg për inceneratorin e Elbasanit.

Top Channel