Noka: Alibeaj po vijon lojën e Edi Ramës dhe Lul Bashës për të përçarë PD-në

13/04/2022 13:11

Flamur Noka në një konferencë për mediat këtë të mërkurë tha se Enkelejd Alibeaj po vijon lojën e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për të përçarë PD-në.

Sipas tij, Grupi i Rithemelimit është i vendosur për të bashkuar PD-në dhe se askush nuk mund t’i ndalë në këtë rrugëtim që synon largimin e qeverisë Rama.

“Ka ardhur koha të bëhemi bashkë për të shkurtuar jetën e kësaj qeverie. Alibeaj po vijon lojën e Edi Ramës dhe Lul Bashës për të përçarë PD, nuk ka mision atë që kërkojnë demokratët, të bëhemi të bashkuar të hapur para regjimit. Çdo deputet është i qartë dhe nuk mund të merret peng, në rast që Alibeaj të jetë peng siç ishte Basha, të gjithë demokratët janë të lirë. Ne jemi të vendosur për të bërë gjithçka në këtë drejtim. Deputetët janë ftuar dhe do të jenë pjesë e këtij procesi, përbashkues, asgjë nuk e ndal, pengjet bëjnë punën e tyre, demokratët do vijojnë punën e tyre”, tha Noka.

Në lidhje me Raportin e Departamenditi Amerikan të Shtetit, Flamur Noka tha se u vërtetuan akuzat e opozitës se Rama kontrollon drejtësinë, i mbështetur nga krimi dhe patronazhistët.

Noka është stacionuar në grupin e Sali Berishës, kundër Alibeajt, të cilët kërkojnë largimin e tij.

Në deklaratën e dhënë pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar një ditë më parë,  ish-kryeministri Sali Berisha bëri akuza të forta ndaj qeverisë duke shprehur se po ushtrojnë presion lidhur me çështjen e dosjes së Statutit të PD-së në Gjykatën e Apelit. Berisha u shpreh se nuk do të ngurrojë të nxjerrë provat në lidhje me këtë gjë dhe se këtë pretendim e mbështet në dy burime.

Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së e thirrur nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj të martën u shoqërua me debate mes mbështetësve të Berishës dhe Alibeajt.

Noka akuzoi ish-sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi se është shkaktari i krizës në PD.

“Ti je shkaktari që PD-ja është në këtë gjendje”, mësohet të ketë thënë Noka në mbledhje.

Bardhi nga ana tjetër u shpreh se Komisioni i Rithemelimit po përpiqet të heqë përgjegjësinë nga vetja.

Kur erdhët ditën e vendimit gjyqësor, thate se vendimet e gjyqit zbatohen ndërsa sot thoni se gjykata është e Ramës”, ka replikuar më tej Bardhi.

Në mbledhje e djershme nuk  morën pjesë, ish-kryedemokrati Lulzim Basha, si edhe deputetët Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Alfred Rrushaj, Flutura Açka, Belind Kelliçi, Dash Sula, Ferdinand Xhaferri, Bujar Leskaj dhe Agron Shehaj.

Pjesë e mbledhjes në selinë e PD-së, u bënë edhe deputetët e Grupit të Rithemelimit, përfshi ish-kryeministrin Berisha dhe Flamur Noka, Edmond Spaho  dhe Luan Baçi.

DEKLARATA E PLOTË PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI FLAMUR NOKA

Qeveria e Edi Ramës përbën një rrezik real për të drejtat e qytetarëve shqiptarë përmes  korrupsionit masiv, presionit politik mbi drejtësinë dhe presionit ekonomik mbi median dhe blerjes së votës.  Ky është rezultati pas skanerit që Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë situatës së të drejtave të njeriut në vend gjatë vitit elektoral 2021.  Raporti i DASH vërteton më së miri të gjitha shqetësimet, denoncimet dhe akuzat e Partisë Demokratike dhe të opozitës.  A ishin shqiptarët të lirë te zgjidhnin qeverinë që donin?  Departamenti i Shtetit thote Jo!  Vullneti i shqiptarëve është deformuar nga një qeveri që bleu votat, që përdori buxhetin e shtetit dhe sistemin kriminal të patronazhimit, duke ekspozuar mbi 900 mijë qytetarë përballë presionit politik të partise në pushtet.  A është sistemi i drejtësisë i pavarur?  Raporti Departamentit Amerikan te shtetit  thotë Jo! “Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thekson raporti.  Shqiptarët e dinë se kush e ka fuqinë për t’i bërë presion drejtësisë. Ka një emër, që duhet të jetë në krye të listës si pengmarrës i drejtësisë së pavarur! Ky është Edi Rama.  Një nga shfaqjet më brutale të këtij presioni, Edi Rama e dha gjatë kongresit të Partisë Socialiste, kur i tregoi SPAK-ut kë duhet të hetojë dhe kush është i paprekshëm. Partia Demokratike ka votuar për një drejtësi që t’i japë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të qeverisë, por me Edi Ramën që kontrollon çdo pushtet, ky mision është i minuar. A eshte kjo  qeveri e korruptuar? Raporti i Departamentit Amerikan te Shtetit thote po. Një qeveri e korruptuar në të gjitha degët e saj, siç pohon Departamenti i Shtetit, një kryeministër i korruptuar dhe presioni politik ndaj drejtësisë është një këmbanë alarmi për shqiptarët! Ka ardhur koha që të bëhemi bashkë, pavarësisht bindjeve politike, për t’ia shkurtuar jetën kësaj qeverie që të drejtat e shqiptarëve i shet dhe i blen për karrigen personale të Edi Ramës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA