Me situatën e renduar nga lufta në Ukrainë, qeveria e Kosovës vendosi të ndalojë përkohësisht eksportin e disa produkteve ushqimore.

Kryeministri Albin Kurti sqaroi në mbledhjen e qeverisë se qëllimi i këtij vendimi është që të sigurohet furnizimi i qytetarëve me produkte si gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.

“Agresioni ushtarak në Ukrainë ka ndikuar në të gjithë  zinxhirin e furnizimit me produkte agro-ushqimore në Europë”, tha Kurti. Kosova megjithatë, nuk ka një nivel të lartë eksporti. Eksporti i mallrave “Made in Kosova” në muajin shkurt, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, kishte vlerën 65.2 milionë eurove, ndërsa importi vlerën e 414.7 milionë eurove. Megjithatë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka thënë se “eksporti i mallrave, sado i vogël të jetë, mund të rrezikojë furnizimin e popullatës në të ardhmen”.

Shkupi dhe Beogradi kanë vendosur gjithashtu bllokimin e eksporteve për malla të caktuara ushqimore. Megjithatë,  disa ditë pas vendimit, autoritetet serbe kanë paralajmëruar se do të rinisin eksportet e grurit për vendet e nismës “Ballkani i Hapur” që përveç Serbisë, përfshin edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Top Channel