Nëntë të dënuarit për tenderin e uniformave të policisë kanë apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Çështja është regjistruar tashmë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm. Seanca e parë pritet të zhvillohet më 21 prill dhe dosja do shqyrtohet nga gjyqtarja Ingerta Hysi.

Mësohet se vendimi është apeluar vetëm nga të pandehurit, ndërsa SPAK nuk ka bërë apelim për vendimin e 30 dhjetorit.

Kujtojmë se ditën e parafundit të vitit 2021 gjykata kundër korrupsionit dënoi me 1 vit burg dhe  5 vjet heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike. Për këtë çështje u dënua drejtoresha e Ministrisë së Brëndshme, Edlira Naqellari dhe shtetasit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Anisa Bogdani, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Kreshnik Bejka, Gëzim Mingaj dhe Aurora Mulla.

Të pandehurit për këtë çështje u gjykuan me gjykim të shkurtuar, duke përfituar edhe ulje me  1/3 të dënimit. Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme u arrestuan vitin e kaluar pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK lidhur me abuzimet për tenderin e uniformave të policisë në vitin 2020, vlera e të cilit arrin në 25 milionë euro.

Sipas SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.

Hetimet nisën pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga deputetët e opozitës parlamentare rreth një viti më parë, duke ngritur pretendime se punonjësit e Agjencisë së Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme krijuan kushtet për të paracaktuar fituesin e tenderit me vlerë 25 milionë euro.

Top Channel