Serbia “përgatitet për luftë”? Mbërrijnë armët kineze, perëndimi: Rrezik për stabilitetin!

12/04/2022 14:45

Informacione shtesë janë dhënë nga Pekini mbi armët që Kina ka dërguar në Serbi. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, pohoi se vendi i tij “nisi furnizime rë rregullta ushtarake, dhe se kjo dërgesë ka si qëllim zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh mes Pekinit dhe Beogradit”.

Lijan u përpoq megjithatë ta theksonte se projekti, që vjen në një kohë tensionesh të larta në Europë për shkak të sulmit rus në Ukrain, nuk synon asnjë palë të tretë.

“Është një projekt në kuadër të planit tonë vjetor të bashkëpunimit. Shpresojmë që mediat përkatëse të mos e interpretojnë shumë. Ky projekt nuk synon asnjë palë të tretë dhe nuk ka lidhje me situatën aktuale”, tha ai.

Agjencia e lajmeve Associated Press thotë se gjatë këtij operacioni të transportit, që u cilësua si sekret, avionët kanë vazhduar të ulen në Beograd gjatë fundjavës, të dërguar atje si pjesë e sistemit kundërajror të Kinës, FK-3.

Për dorëzimin e këtyre armëve, Serbia ka rënë dakort me Kinën që në vitin 2019. Sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçic, vendi i tij po përballet me një “presion të madh” për t’u harmonizuar me sanksionet europiane kundër Rusisë. Perëndimi, më herët, ka shprehur shqetësimin se armatosja e mëtejshme e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë luftës në Ukrainë, mund të rrezikojë paqen dhe stabilitetin e rajonit, ndërsa në një të njëjtën kohë, Brukselin dhe Uashingtonin i shqetëson edhe fakti që Serbia, si vend që synon anëtarësimin në BE, blen armë nga Kina e Rusia, në një kohë kur prej saj pritet që ta harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me bllokun europian.

Top Channel