U shemb nga moti i keq para një jave, nisin punimet për riparimin e urës së Shtrezës

11/04/2022 09:24

Pas më shumë se një jave bllokim kanë filluar punimet për riparimin e urës së Shtrezës.

Punimet po behën nga firma mirëmbajtëse e rrugës Kukës-Shishtavec, dhe kanë të bëjnë me riparimin e pjesëve të dëmtuara te dy shpateve anësore të urës, përforcimin e saj deri në  çeljen e fondit të emergjencës për rehabilitimin e shpejtë të aksit të vjetër Shishtavec – Kollovoz, rindërtimin dhe funksionimin e plotë të urës së Shtrezës.

Punimet nga firma mirëmbajtëse pritet të zgjasin një javë për të bërë të mundur me pas lëvizjen e lirë të mjeteve.

Ditë më parë banorët e tre fshatrave Shishtavec, Novosej, Turaj, përmes një apeli iu drejtuan Bashkisë së Kukësit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Prefekturës së Qarkut që të merrnin masa për kthimin ne normalitet te situates së krijuar nga bllokimi i urës.

Prej mëse 10 ditësh banorët e fshatrave  Shishtavec, Turaj, Novosej gjenden të bllokuar për shkak të shembjes së urës së Shtrezës, nga reshjet e shiut të fillim muajit.

Qindra banorë të tre fshatarve kanë hasur vështirësi të mëdha në lëvizjen drejt qytetit të Kukësit, për të plotësuar nevojat e tyre jetike në furnizimin me ushqime, ilaçe e marrje shërbimesh të ndryshme, si dhe tregtimin e patateve. Banorët detyroheshin të ecnin një pjesë rruge në këmbë të ngarkuar me ushqime e trasta të rënda në duar me rezervat disa javore, për të kaluar nga njëra anë e urës në anën tjetër.

Nga ana tjetër, rruga e vjetër që kalon në aksin lidhës të Kollovozit është jofunksionale, ndërkohë që rruga për nga Cërnaleva dhe Borja është krejtësisht e papërdorshme për automjetet. Ndërkaq rruga nga dogana nëpërmjet aksit Shishtavec – Krushevë – Dragash e pastaj doganës së Morinës, përvec vonesave të ndalesës në dy dogana, është dhe dyfish më e gjatë duke shumëfishuar kostot për automjetet. Ndryshe Ura e Shtrezës po degradon e shkërmoqet përditë nga kushtet e motit dhe amortizimi disa dekadash, duke i shtuar vështirësitë e lëvizjes së banorëve.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA