Zbulohet një tjetër varr masiv afër Kievit, trupat ishin hedhur në një kanal

10/04/2022 12:55

Një varr me dhjetëra civilë është gjetur në fshatin Buzova pranë Kievit, tha një zyrtar ukrainas, pasi forcat ruse u tërhoqën nga zonat në veri të kryeqytetit për të fokusuar sulmin e tyre në lindje.

Taras Didych, kreu i komunitetit Dmytrivka që përfshin Buzova, tha se trupat u gjetën në një kanal pranë një pike karburanti. Ai tha se numri i të vdekurve ende nuk është konfirmuar.

Por Reuters raporton se ende nuk mund ta konfirmojnë deklaratën. Zona në fjalë ka qenë nën pushtimin e rusëve me javë të tëra, teksa ata synonin  rrethimin e kryeqytetit.

Ndërkohë rritja e numrit të viktimave civile ka shkaktuar një zemërim të gjerë ndërkombëtar dhe sanksione të reja, veçanërisht pas pamjeve shokuese në qytetin Bucha, në veriperëndim të Kievit.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se përdorimi i forcës nga Rusia ishte një katastrofë që në mënyrë të pashmangshme do t’i godasë të gjithë.

Në një fjalim të shtunën vonë ai përsërit thirrjen e tij drejtuar aleatëve perëndimorë për një embargo të plotë ndaj produkteve ruse të energjisë dhe më shumë armë për Ukrainën.

 

 

Top Channel