Arrestohet 21-vjeçari në Gjirokastër, transportonte emigrantë të paligjshëm

10/04/2022 16:46
Foto ilustruese

Në Gjirokastër është finalizuar një tjetër operacion “ROAD GUARD” ku u ndalua një 21 vjeçar nga Kamza, i cili po transportonte 5 emigrantë nga vendet e treta.

Ai u arrestua në flagrancë aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, pasi shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “BMW” me drejtues shtetasin I. T. 21 vjeçari  nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar por u largua me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë .

Pas disa minuta ndjekjeje  në vendin e quajtur “Kryqëzimi poshtë Kalasë” Tepelenë, shërbimet e policisë kanë kapur shtetasin I. T., i cili pasi kishte dalë nga rruga me mjet, e kishte  braktisur atë dhe  tentoi të largohej por  është vënë në pranga nga shërbimet e policisë.

5 emigrantët e paligjshëm nga vendet MENA, u gjendën brenda automjetit dhe pas marrjes paraprake në pyetje u konstatua se po transportoheshin  kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celularë.

Ky është operacioni i 13-të që prej fillimit të marsit ndërsa është policia kufitare është duke krehur edhe zonën e kufirit të gjelbërt ku dhjetëra emigrantë përpiqen të kalojnë me këmbë për të hyrë në Shqipëri me qëllim që të tranzitojnë drejt një vendi të BE.

Top Channel