Për Andrei Zorin, profesor në Universitetin e Oksfordit, dhe autor i shumë librave mbi historinë e vendit të tij, përfshirë një biografi të rëndësishme mbi Tolstoin, dhe një ese me titull “Periferia e Evropës”, në të cilën ai shpjegon se si Rusia e ka ndryshuar perceptimin mbi territore si Ukraina, nuk është një ditë e zakonshme.
Biseda jonë në Skype ndërpritet, kur Zorin merr telefonatën që e kishte pritur prej kohësh. Gruaja dhe djali i tij sapo kishin mbërritur nga Moska me një nga fluturimet e fundit të disponueshme. “Këtë herë është një udhëtim vetëm me një drejtim. Më vjen keq që polargohemi nga atdheu. Por atje nuk ekzistojnë më kushtet për të qëndruar”– thotë ai.
Profesor, për cilën mitologji e keni fjalën?
Për habinë e madhe të të gjithëve, vitet e fundit Vladimir Putin është shndërruar në një historian amator, duke filluar të shkruajë ese mbi të kaluarën e Rusisë. Shumë njerëz ekonsideruan të çuditshme këtë sjellje. Megjithatë për të ishte një mënyrë për të krijuar njëkonsensus, dhe për të justifikuar një luftë të pamotivuar si kjo që sapo ka nisur.
Cilat janë sipas Putinit momentet më të rëndësishme në historinë e Rusisë?
Janë tre të tilla. E para:ne rusët ju duam ju perëndimorëve, por jeni ju që na urreni. Prandaj, ne kemi të drejtë të mbrohemi. Ky parim është përhapur gjerësisht përmes televizionit dhe brezave të rinj nëpërmjet librave shkollorë. të rishikuar dhe korrigjuar bazuar tek ky supozimi presidentit rus.
E dyta?
Putin thotë:T’i shndërrojmë humbjet në fitore, apo në një premisë të fitores së ardhshme. Narrativa jonë historike, diktohet nga shndërrimi si përmes një mrekullie i poshtërimeve në triumfe absolute. Kundër Polonisë në shekullin XVII, kundër Napoleonit, kundër nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Putin ka zgjedhur ta kristalizojë këtë vizion, ta bëjë atë të përhershme, duke krijuar një pritshmëri të përjetshme për hakmarrje ndaj Perëndimit.
Po ndaj çfarë disfate do të hakmerret ai me pushtimin e Ukrainës?
Këtë e thotë vetëm ai. Në këtë kuptim, asgjë tjetër nuk është në përputhje me pikëpamjen e tij të shtrembëruar. Hakmarrja e tij është e dyfishtë. Për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, të cilën ai e konsideron një tragjedi absolute, jo një çlirim, por një poshtërim, si dhe për dështimin e përfundimit të luftës së nisur në vitin 2014, e cila nuk u çua deri në fund për fajin e Perëndimit.
Po çfarë ka lidhje Ukraina me këtë qasje?
Kjo është pika e tretë, ndoshta më e rëndësishmja. Putin e sheh Ukrainën si simbolin e copëtimit të “familjes” sovjetike. Kur ai thotë se rusët dhe ukrainasit janë një popull, siç e tha për herë të parë në një ese të botuar verën e vitit të kaluar, ai rikthehet pas në kohë.
Deri ku?
Para revolucionit të vitit 1917, kur termi rus nënkuptonte popullin tonë, ukrainasit dhe bjellorusët. Ne ishim thjesht Velikorosy, Malorosy dhe Belorusy, që do të thotë Rusët e Mëdhenj, Rusët e Vegjël dhe Rusët e Bardhë. Që në këtë lloj dallimi, është i qartë roli i “vëllait të madh” që na është caktuar ne rusëve. Putin nuk mund të tolerojë që ukrainasit t’i referohen rusëve si “Moskal”. Për të, kjo luftë është si një bashkim familjar.
A kanë këto teza ndonjë bazë reale?
Këto janë teori të çuditshme, të cilat mund të jenë pasojë e izolimit të tij, qoftë edhe fizik, gjatë 2 viteve të fundit. Historia nuk bëhet duke zgjedhur nga “tasi” vetëm “qershitë” që na pëlqejnë më shumë. Historia është një rrjedhë e vazhdueshme dhe e pandashme ngjarjesh.
Ne nuk mund ta injorojmë faktin sesi një popull, në këtë rast ai ukrainas, e konsideron veten e tij. S’mund ta injorojmë vullnetin “perëndimor”, që u shfaq në sheshin Maidan. Përndryshe, gjithçka është thjesht një propagandë e shtrembëruar.
Bazuar në këtë vizion, çfarë roli i cakton vetes Putin?
Kulti i fitores përfundimtare, i shndërruar në një lloj feje shtetërore, përfshin mitologjinë e liderit, e cila ka kuptim vetëm në kohëra të vështira. Historia “e tij”, është një ndër mjetet për ruajtjen e pushtetit dhe të një kontrolli të fortë mbi popullin rus. Mesazhi që po imponohet meforcë është ky:Në rast se do që të jesh një person i denjë, atëherë duhet të rreshtohesh vetëm në anën e duhur, atë të Putinit./bota.al
Top Channel