Simboli “Z” po shfaqet kudo nëpër rrugët e Mitrovicës së Veriut, në mure, billboarde, i ngjitur në makina civile e madje i stampuar edhe nëpër bluza.
Në Rusi, shkronja ‘Z’ përdoret si simbol i pushtimit ushtarak në Ukrainë, vizatohet ose ngjitet në makina civile dhe bilborde, e disa të tjerë e kanë stampuar edhe në bluzat e tyre.
Në Mitrovicën e Veriut në mbrëmjen e 3 prillit, një grup qytetarësh festuan fitoren e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiçit, duke vendosur simbolin ‘Z’ në makinat e tyre, e duke valëvitur flamuj partiak dhe atë rus. Edhe në javët e kaluara, simboli ‘Z’ ishte parë i vizatuar në muret e disa ndërtesave në Mitrovicë të Veriut. Disa besojnë se simboli ‘Z’ vizatohet pa vetëdije nga të rinjtë, të cilët nuk thellohen të kuptojnë domethënien e tij.
Në fund të marsit, Ukraina u ka bërë thirrje shteteve që të dënojnë penalisht përdorimin e simbolit ‘Z’, i cili konsiderohet si mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë. Fillimisht e përdorur në tanket ruse që kanë hyrë në Ukrainë, shkronja ‘Z’ besohet se ka kuptimin “za pobedu” (për fitore) dhe ky simbol shumë shpejt nisi të përdorej nga rusët si shenjë mbështetjeje për pushtimin e Ukrainës. Trë lande gjermane, Berlini, Bavaria dhe Saksonia e Ulët, tashmë kanë thënë se kushdo që përdor simbolin për të promovuar luftën, mund të dënohet me deri tre vjet burgim. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dimitry Kuleba, u ka bërë thirrje dhe vendeve tjera që të ndjekin shembullin e Gjermanisë.
Top Channel