Kriza e çmimeve ka ulur besimin e konsumatorëve në ekonomi, duke e çuar në nivelin më negativ që prej fillimit të pandemisë.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë ky pesimizëm i qytetarëve është diktuar nga pritjet e tyre më të ulëta për gjendjen e tyre financiare dhe situatën e përgjithshme ekonomike të vendit.

Parashikimet e tyre për blerje aktuale shënuan rënie duke reflektuar pamundësi për të bërë shpenzime,  ndërsa i druhen çmimeve të larta të mallrave të konsumit edhe në të ardhmen.

Përkeqësimi i besimit konsumator që shënoi tkurrje me 6.7% në mars, bëri që treguesi i ndjesisë ekonomike të bjerë sërish për të tretin muaj radhazi me 2%, duke reflektuar edhe efektet e krizës së pandemisë fillimisht, e më pas goditjen që po jep shtrenjtimi i çmimeve.

Veç tyre, në anketën e bankës qendrore që shërben si një matës i gjendjes së përgjithshme ekonomike për sipërmarrjet dhe qytetarët, rezulton se edhe bizneset e tregtisë janë më pesimiste si pasojë e vlerësimeve më të ulëta për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre.

Ndërtimi vijon të mbetet i palëkundur dhe shfaqet optimist si në ecurinë e aktivitetit ndërtues ashtu edhe në priditshmëritë e  ndërmarrjeve të sektorit për rritje të çmimeve. Ndërsa vlerësimet për porositë aktuale, pësuan rënie.

Ecuria pozitive e kontratave porositëse ka bërë që edhe bizneset e sektorit të industrisë të jenë më optimiste dhe ashtu si për sektorët e tjerë, edhe këto sipërmarrje presin shtrenjtim të mëtejshme të çmimeve, diktuar nga situata e krijuar prej luftës Rusi-Ukrainë.

Top Channel