Detajet/ U gjet i pajetë në makinë, 38-vjeçari baba i dy fëmijëve punonte në Port. Ja dyshimet e policisë

06/04/2022 11:17

Hije dyshimi mbi shkaqet e vdekjes së 38-vjeçarit, që u gjet pajetë natën e kaluar në aksin rrugor Fier-Lushnjë.

Betim Kastrati, baba i dy fëmijëve të mitur, një vajze 13 dhe një djali 9-vjeç, ishte i punësuar si specialist pranë drejtorisë së shërbimeve në Autoritetin Portual Durrës dhe shpesh bënte dhe shoferin e drejtorit të përgjithshëm të APD-së Pirro Vengu.

Sipas policisë, Kastrati u gjet në aksin rrugor Fier-Lushnjë, në afërsi të rrethrrotullimit të Kolonjës, brenda në automjetin tip “Volvo” me targa AA 550 AI dhe nga veprimet e para hetimore u deklarua se ai  kishte parkuar makinën në mënyrë të rregullt në një xhep të rrugës dhe ka vrarë veten me armë zjarri.

Të njohur të tij bëjnë me dije se Kastrati ishte me banim në Kamëz të Tiranës dhe çdo ditë udhëtonte drejt Durrësit për t’u paraqitur në punë. Ai ishte një tip mjaft sportiv, adhurues i arteve marciale dhe frekuentues i rregullt i palestrës.

Sipas të njohurve të tij, në asnjë rast nuk ka shfaqur shenja depresioni që mund ta çonin drejt vetëvrasjes, ndërkohë që do të jenë hetimet e mëtejshme që do të zbardhin ngjarjen dhe kujt i përkiste arma e përdorur dhe e sekuestruar në vendin e ngjarjes.

Miq e kolegë pune kanë udhëtuar nga Durrësi drejt Kamzës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Kastratit.

Top Channel