Mijëra mijëra civilë kanë mbetur të bllokuar në qytetin ukrainas të rrethuar të Mariupolit, pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo gaz.
Përpjekjet e shumta për të hapur korridoret për shpërndarjen e ndihmave dhe evakuimin e banorëve kanë dështuar. Për ata që kanë arritur të shpëtojnë, vuajtja nuk ka përfunduar, veçanërisht për fëmijët e tyre.
Gjëja e parë që bënë ishte blerja e bukës, sallamit dhe ujit. Nadia Denysenko dhe fëmijët e saj ishin arratisur pas tre javësh në Mariupol, nën rrethim dhe nën sulm të vazhdueshëm, duke jetuar në apartamentin e tyre të ftohtë, ku dritaret kishin shpërthyer pasi një predhë ra aty pranë. Për ditë të tëra kishin shumë pak për të ngrënë dhe pothuajse asgjë për të pirë.
“Ne ishim shumë të lumtur që kishim ujë në shishe. E përfunduam në sekonda”, tha Nadia, duke kujtuar momentin kur ishte me fëmijët e saj 14, 5 vjeç, dhe vajzën 12-vjeçare. “Kur filloi lufta, djali im më i vogël tha’Mami, do të doja të kisha pak bukë’“, tha ajo për BBC.
E tyre është një tjetër histori e guximit të jashtëzakonshëm mes një tragjedie pothuajse të pabesueshme. Brenda Mariupolit, ata i kalonin ditët në korridoret pas mureve të trasha. Netët ishin në bodrum. Zakonisht zgjoheshin në orën 05:00. Shpërthimet e forta, herë larg, herë afër, askush i linte të flinin.
“Ishte ferr. Vetëm ferr”, tha 39-vjeçarja që punonte në një supermarket në qytet.
“Po jetonim ditët tona duke mos ditur nëse do të zgjoheshim gjallë në mëngjes.”
Mariupol ka parë tmerret më të këqija të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Mijëra kanë vdekur ndërsa forcat pushtuese rrethuan qytetin, duke e sulmuar atë pa mëshirë nga ajri, nga toka dhe gjithashtu nga deti.
Shumë prej tyre janë varrosur në varre masive, pa ceremoni dhe pa emër. Rrugë pas rruge, ndërtesë pas ndërtese, pjesa më e madhe e Mariupolit tani është në gërmadha.
“Ne ishim të bombarduar rëndë. Atyre nuk u interesonte asgjë… Djali im vazhdonte të pyeste: “Pse ka shpërthime?”, tha Nadia. “Unë i thosha: “Mos u shqetëso bir, është vetëm fishekzjarre”.
Gjatë kohës së tyre në qytet, fqinjët gatuanin atë pak ushqim që kishin në një kuzhinë fushore në rrugë.
“Shpesh rrinim jashtë sepse ishte më ngrohtë se brenda”, tha Nadia.
Në dy ditët e fundit atje, ata nuk kishin asgjë për të ngrënë. As drithëra apo bollgur. Nuk kishte rëndësi nëse kishe para. Nuk kishte mbetur ushqim në qytet.
Në një nga përpjekjet e tyre për t’u arratisur, ata shkuan në një vend ku ishin mbledhur makinat, duke besuar se ishte një pikë evakuimi. Ata u sulmuan.
“Ishte e qëllimshme”, tha ajo. Ata mbijetuan, tha Nadia, pasi një burrë e shtyu atë dhe fëmijët “si këlyshë” brenda një ndërtese të dëmtuar, ku menduan se do të mbroheshin.
“Një makinë është goditur nga një predhë. Shoferi, një ushtar që po tentonte të nxirrte familjen jashtë qytetit, mbeti i plagosur në kokë. Ajo dhe të tjerët e sollën në një bodrum, ku një vajzë, e cila nuk ishte mjeke, i bëri disa qepje duke përdorur një gjilpërë dhe fije të zakonshme. Pasi i pamë të gjitha këto, ne u kthyem në shtëpi dhe djali im më i vogël më pyeti: “Mama, pse po përpiqen të na vrasin?”, tha Nadia.
“Çfarë mund t’i thoja? Nuk e di.”
Ditë më vonë, më 17 mars, ata më në fund arritën të largoheshin nga qyteti, si pjesë e një kolone automjetesh private. Fillimisht arritën në fshatin Mangush. Më pas ata u drejtuan për në Berdyansk, i cili është nën kontrollin rus.
Nga atje, ata hipën në një autobus për në Zaporizhzhia. Rruga, tha ajo, ishte plot me postblloqe të ngritura nga ushtarë rusë ose separatistë të mbështetur nga Rusia.
“Ata na kontrolluan, veçanërisht meshkujt, telefonat tanë”, tha Nadia. Duke ditur se kjo mund të ndodhte, ajo tashmë kishte fshirë të gjitha fotot që kishte nga Mariupol.
“Kur u larguam nga qyteti, isha e mbuluar me baltë. Nuk kisha bërë dush. Kur nuk keni asgjë për të pirë, nuk mendoni të bëni dush.”
Atyre iu deshën pesë ditë për të udhëtuar nga Zaporizhzhia në Lviv, në Ukrainën perëndimore, një rajon që është kursyer kryesisht nga sulmet e Rusisë. Një nga shenjat e pakta këtu se ky është një vend në luftë është zhurma e sirenave të sulmit ajror, të cilat mund të bien disa herë në ditë.
“Ne jemi të sigurt dhe mund të blejmë ushqim, por djali im ende fsheh ushqime: bukë, karamele. Ai e fsheh atë në pjesë të ndryshme të banesës ku po qëndrojmë”, tha ajo.
“Nesër do të ha diçka”, tha ai.
Nadia mendon se fëmijët e saj do ta kapërcejnë atë që kanë kaluar. Ajo tha se vajza e saj, e cila nuk donte të vinte me të për intervistën e BBC ishte një person komunikues, por ende nuk kishte bërë miq në qytetin e ri.
Ajo do që të kthehet në Mariupol një ditë, kur lufta të përfundojë dhe qyteti të rindërtohet.
“Nuk ka mbetur asgjë prej tij, Qyteti po lulëzonte dhe po zhvillohej. Ishte thjesht i përsosur”, tha ajo. E vetmja gjë që nuk kishin, tha Nadia, ishte McDonald’s.
“Unë thjesht nuk e kuptoj pse ndodhi e gjitha. Pse e bënë atë?”
Top Channel