5 prilli 2022 shënon 30 vjet nga fillimi i rrethimit të Sarajevës prej forcave të ushtrisë serbe. Në këtë ditë, në 1992, u regjistruan dhe viktimat e para të snajperistëve serbë: Suada Dillberovic dhe Ollga Suçic, të vrara në në një urë të qytetit, që sot mban emrin e tyre.

Majin e vitit të kaluar, prokurorët boshnjakë të luftës nisën një hetim pas publikimit të një videoje e cila tregonte snajperistë serbo-boshnjakë duke shënjestruar viktimat. Filmimet e postuara nga gazetari francez Philippe Buffon, tregonin sesi njëri prej tyre godiste dhe pastaj mburrej duke thënë se “kishte qëlluar dikë në kokë”.

Rrethimi i Sarajevës ishte një nga  më të gjatë në historinë e luftës moderne dhe më i gjati i një kryeqyteti që ka ndodhur ndonjëherë. Ai zgjati deri më 29 shkurt, 1996, saktësisht 1,460 ditë. Gjatë rrethimit, Sarajeva ishte pothuajse plotësisht e shkëputur nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës, me mungesa ushqimesh, energjisë elektrike, gazit, ilaçesh dhe ujit.

Gjatë asaj periudhe, në qytet kanë rënë qindra mijëra granata, duke vrarë më shumë se 11,500 njerëz, në mesin e tyre rreth 1.600 fëmijë. Udhëheqësi i atëhershëm i ushtrisë serbe, Ratko Mlladic, ka dhënë urdhër që të qëllohej në të gjitha objektivat civile joserbe në Sarajevë. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e ka dënuar më pas atë me burgim të përjetshëm, për akuza që përfshinin edhe terrorizimin e civilëve në Sarajevë.

Për akuza të ngjashme është dënuar njësoj edhe ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhic. Për rrethimin e Sarajevës, Gjykata e Hagës ka dënuar tre komandantë serbë: Stanisllav Galliqin, Dragomir Millosheviqin dhe Momçillo Perishiqin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA