Protesta për sheshin e Flamurit: Mos lejoni të na shkatërrojnë historinë

03/04/2022 11:55

Sot në Vlorë është zhvilluar një proteste e thirrur nga shoqëria civile për projektin e rikonstruksionit të Sheshit të Flamurit.

Pranë monumentit të pavarësisë janë mbledhur qytetarë të shumtë vlonjatë, por dhe të ardhur nga qytete të tjera të vendit. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile kryeministri Edi Rama jo vetëm nuk prishi godinën disakatëshe ndërtuar prej vitesh në sheshin historik, por ndërtoi dhe çibanë të tjerë që sipas tyre është terminali i autobusëve.

Përveç kësaj thonë se është larguar nga ky vend një nga simbolet e tij, 4 Topat. Protestuesit janë shprehur se nuk do të lejojnë atë që po ndodh këtu duke kërkuar madje dhe përgjegjësi për faturën ndërtimin e terminalit të autobusëve. “Mos lejoni të na shkatërrojnë historitë”, thonë protestuesit.

Qytetarët thonë se asnjëherë nuk janë pyetur apo konsultuar për të gjithë ndryshimin që po i bëhet Sheshit të flamurit. Protestuesit me simbole kombëtar kanë konfirmuar se nuk do të lejojnë atë që ata e quajti dinjitet kombëtar t’ua nëpërkëmbin.

“Mos lejoni të na shkatërrojnë dhunojnë e përdhunojnë historinë, zgjohuni vlonjatë mos kini frikë

Eja mblidhuni këtu këtu, eja mblidhuni se jemi për simbolin e kombit, për të cilin kanë derdhur gjak me shekuj shqiptarët, për të cilin që nuk i takon vetëm Vlorës por gjithë popullit dhe historisë. Vlorës ja morën të gjitha sheshet të gjitha simbolet dhe këtë të fundit të vetmen kështjellë të lirisë sovranitetin dhe dinjitetin e kombit po e kthejnë në biznes në stacion autobusash. Eja mblidhemi të tregojmë se ky qytet ende nuk ka vdekur dhe kombi ende nuk ka vdekur.

Shkatërruan sheshin kombëtar e të gjithë shqiptarëve, si mund ti themi terminali se ska kuptim. Çpopullimi u bë, na kanë ikur të gjithë edhe fëmijët se këtu nuk jetohet thonë. Këta duan të na heqin identitetin.

Këta burra, kur nuk lejohej gjuha shqipe e shumë gjëra të tjera, ja kanë dhënë lirinë e pavarësinë që kemi sot. Ky është një krim.”- thanë protestuesit.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama reagoi për këtë protestë duke akuzuar opozitën se ka organizuar protesta kundër urbanizimit të këtij qytetit.

“Më thonë qenkan revoltuar foltorexhinjtë e Vlorës se dashkan transparencë për projektin e Sheshit të Flamurit! U duket kolonata si stacion autobuzësh e duan shembjen e hotelit të tyre fantazëm, që arkitekti i famshëm belg e kthen në qendrën më të madhe social-kulturore të vendit!

Nuk u ve faj se as nuk dinë as nuk bëjnë dot gjë tjetër përveç përshesheve me baltë, po Sheshi i Flamurit do të jetë një tjetër spektakël urban në Vlorën e Rilindur, që mezi pres ta shoh të realizuar megjithë qendrën social-kulturore, e cila do t’i japë Vlorës një përmasë të re!” shkroi Rama në Twitter.

Top Channel