“Qindra” mina lundruese në Detin e Zi, pasiguri për anijet dhe çmimin e grurit!

02/04/2022 15:45

Një numër i madh minash detare pluskuese janë zbuluar së fundi në vendet që lagën nga Deti i Zi, duke mbjellë shqetësim.

Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për vendosjen e tyre, ndërsa numri i saktë nuk dihet ende. Marina turke njoftoi se që nga fundjava e kaluar ka çaktivizuar disa mina të tilla, një nga të cilat madje gjendej në afërsi të Ngushticës së Bosforit, e cila për një kohë të shkurtër madje u mbyll për anijet e transportit. Ushtria rumune gjithashtu tha se ka neutralizuar në fillim të javës një mjet shpërthyes lundrues që kishin zbuluar peshkatarët në brigjet e vendit.

Shërbimi sekret rus FSB dhe Ministria e Mbrojtjes në Moskë pretendojnë se bëhët fjalë për mina detare ukrainanase, të shkëputura për shkak të një stuhie nga vendet ku ishin vendosur në bregdetin e qytetit Odesa. Në fillim u fol për disa qindra mina që pluskojnë në Detin e Zi. Më pas Ministria ruse e Mbrojtjes e korrigjoi këtë lajm duke saktësuar se dhjetë nga rreth 370 minat e vendosura në brigjet e Odesës ishin shkëputur nga zonat ku ishin vendosur.

Por Kievi e hodhi poshtë menjëherë këtë informacion si të rremë. Zyrtarët ukrainas thonë se minat e zbuluara u përkasin rezervave të armatimeve të Ukrainës, por ato e kanë origjinën nga Sevastopoli në gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e ka pushtuar që nga viti 2014. Sipas Kievit Rusia po i lë qëllimisht minat të pluskojnë në Detin e Zi në mënyrë që të dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Ukrainës.

Ngushtica e Bosforit, që lidh Detin e Zi dhe Mesdheun, është një rrugë tregtare me rëndësi thelbësore, e është gjithashtu vendi nga ku kalojnë anijet që eksportojnë grurë nga Rusia dhe – zakonisht – edhe nga Ukraina. Bllokimi i kësaj rruge detare ka shkaktuar pasiguri për transportin detar civil dhe mund çojë sërish në rritjen e çmimit të grurit dhe të prodhimeve të tjera.

Top Channel