Pavarësisht kërkesës për lehtësim të masës së arrestit, Gjykata e Posaçme vendosi të mbajë në burg ish deputetin e PS, Alqi Bllako.

Me pranga në duar, e i rrethuar me policë, Alqi Bllako mbërriti sot në Gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë. Në seancën e zhvilluar pa praninë e mediave, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë, ndaj ish-deputetit socialist i arrestuar për korrupsion e shpërdorim detyre lidhur me inceneratorin e Fierit.

Alqi Bllako në seancën gjyqësore

Ndaj ish deputetit Alqi Bllako, Prokuroria ka ngritur akuza për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i fuknsionarëve të lartë shtetërorë”. Ai dyshohet se në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

 

 

Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Top Channel