Dy shtetas janë arrestuar në Lezhë pasi dyshohet se tregtonin lëndë narkotike në qytet.

Gjatë operacioni policor janë sekuestruar 26 kilogramë kanabis sativa, 1 automjet dhe 2 aparate celularë.

Një ditë më parë, gjatë një tjetër operacioni policor antikanabis, të koduar “Heat”,  u godit një ambient që ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave, si rezultat i të cilit u vu në pranga pronari i banesës.

Bazuar  në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas po transportonin lëndë narkotike me automjetin e tyre, në aksin e vjetër rrugor Lezhë – Milot, shërbimet e Policisë Lezhë, organizuan menjëherë punën duke bërë të mundur lokalizimin  dhe ndalimin e automjetit të dyshuar tip “Mitsubish” për kontroll, në fshatin Pllanë, Lezhë.

Si rezultat i kontrollit, brenda mjetit me drejtues Ardit Marku dhe pasagjer Emiljan Gega u gjetën 3 thasë plastmasi ngjyrë e zezë, të mbushura me material bimor të dyshuar lëndë narkotike, ku pas peshimit total të tyre rezultoi 26 kilogramë pesha e tyre.

Në vijim të operacionit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Ardit Marku 26 vjeç  banues në Kurbin dhe Emiljan Gega22 vjeç banues në Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja  e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan  lënda e dyshuar narkotike, automjeti dhe 2 aparatet celularë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime mëtejshme.

 

Top Channel