Tregu i hidrokarbureve ka reaguar më shpejt se Bordi i Transparencës për çmimet e reja të naftës.

Në orët e para të paradites te se premtes, në pikat e pakicës nafta shitet 6 lekë më lirë, ndërsa benzina u rrit me 1 lek.

Tregu vendas ka reflektuar uljen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, por jo në të njëjtën vlerë si dy javë më parë.Kur në datën 14 mars nafta qëndronte në nivelin e 105 dollarëve për fuçi, në tabelat e Shqipërisë çmimi ishte 217 lekë/litër.

Ndërsa, sot që është në të njëjta nivele, çmimet në Shqipëri janë fiksuar në 231 lekë/litër.

Kjo fryrje e çmimit vjen për shkak të vendimit të Bordit që tu njohë operatorëve të tregut edhe disa shpenzime të tjera fikse, si kostot operative. Këto kosto shtesë shtesë janë llogaritur në 15 lekë.

Me llogaritë sipas tabelës publike të Bordit të Transparencës, duke marrë kursin e këmbimit, çmimi i naftës bashkë me marzhe fitimi rezulton gati 210 lekë. Shtuar edhe kostot operative, çmimi duhet te ishte nën 225 lek, ndërsa në tabela sot është 6 lekë më i lartë.

Nga krahu tjetër çmimi i benzinës ka qëndruar i ulët. Operatorët thonë se ajo është më lirë për shkak të stoqeve të mëdha.

Gazi është një tjetër produkt energjetik që ka ardhur me rritje të ndjeshme nga dy javë më parë, nga 93 lekë që shitej, duke përfunduar në 115 lekë.

Top Channel