Moti i keq përfshin vendin/ Rënie gurësh në aksin Elbasan-Librazhd, kalimi në një korsi në “Kthesën e Murrashit”

01/04/2022 22:45

Moti i keq ka përfshirë vendin, ndërsa situata paraqitet më problematike në aksin Elbasan- Librazhd.

Aksi Elbasan-Librazhd është bllokuar për shkak të rënies së gurëve tek “Kthesat e Murrashit”. Aktualisht po punohet për pastrimin e gurëve, ndërsa segmenti është shumë i rrezikshëm për lëvizjen e mjeteve.

Qytetarët po presin prej orësh në trafikun e rënduar, ndërsa po lëvizet vetëm me një korsi dhe po punohet për hapjen e korsisë tjetër.

Policia ndodhet atje, duke menaxhuar trafikun e rënduar dhe hapur njërin krah të rrugës. Sipas korrespondentes të Top Channel, Bruna Kërçyku, shembja ka përfshirë thuajse të gjithë zonën në rreth dy apo tre kilometra.

Policia ka këshilluar drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit. Aktualisht të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, me përjashtim të aksit Elbasan – Librazhd, tek ura e Murrashit.

Sipas Policisë së Shtetit, nga ana e firmës kontraktore po punohet për zhbllokimin e plotë të rrugës.

Nisur nga moti i keq, me reshje shiu në të gjithë vendin, Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që të tregojnë kujdes, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Drejtuesit e mjeteve dhe të motomjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të ruajnë distancën gjatë qarkullimit, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe të mos drejtojnë automjetet apo motomjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Në të gjitha akset rrugore kryesore, në qendrat urbane e akset kryesore rurale, janë prezente shërbimet e Policisë Rrugore, për të drejtuar qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’i ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti që mund të ketë probleme.

Të gjithë përdoruesit e rrugës të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë Rrugore dhe të autoriteteve të tjera shtetërore, dhe në rast të bllokimit të rrugës, drejtuesit e mjeteve të qëndrojnë në radhë deri në zhbllokimin e saj.

Aktualisht të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, me përjashtim të aksit Elbasan – Librazhd, tek ura e Murrashit, ku lëvizja kryhet vetëm në një korsi, pasi në rrugë ka inerte. Nga ana e firmës kontraktore po punohet për zhbllokimin e plotë të rrugës. Për çdo problem që mund të hasni, kontaktoni në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital!”, shkruan Policia e Shtetit.

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme me qarkullimin edhe në disa akse dytësore në Gjirokastër.

Nga shpati anësor janë shembur gurë dhe inerte në aksin drejt Qafës së Çajupit ndërsa pranë fshatit Nivan në Zagori janë rrëzuar formacione shkëmbore duke e bllokuar për momentin qarkullimin.

Drejtuesit e mjeteve që e kanë përshkuar sot aksin e kanë përshkruar situatën e shpateve në të dy akset si të paqëndrueshme dhe të rrezikshme pasi ka masive shkëmbore me bazament jo statik.

Aksi përshkohet nga pak mjete, megjithatë është e vetja rrugë që e lidh zonën e thellë të Zagorisë me qytetin. Për shkak të reshjeve dhe erës ka pasur defekte në rrjet edhe ndërprerje të gjata të energjisë elektrike.

Reshjet e shiut kanë përfshirë edhe zonën në verilindje, por prurjet e lumit Drin janë ende të ulta. Gjatë 24 orëve të fundit Kukësi është përfshirë nga reshje, ku një natë më parë reshjet e rrëmbyeshme sollën  problematika në disa akse. Gjithashtu ura që lidh njësinë administrative Shishtavec me fshatra të tjerë dhe Kukësin është prishur.

Firma kontraktore po bën të mundur rregullimin dhe mundësuar kalimin e banorëve, por ende nuk është e kalueshme dhe ata duhet të përdorin një rrugë dytësore për të shkuar në qytet apo fshatra të tjerë.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA