Policia ka sekuestruar pasuritë me vlerë 2 milionë euro të 34-vjeçarit nga Tirana pas dyshimeve se pasuria ishte rrjedhojë e veprimtarisë kriminale.
I riu i identifikuar si S. A. alias G. K. alias S. K., është ndaluar më parë nga autoritetet policore hollandeze dhe gjermane, si i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrim parash”.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Transaksionet”, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të 34 vjeçarit.
Pasuritë e sekuestruara, vlera e të cilave shkon rreth 2 milionë euro janë konkretisht: Një ndërtesë (vilë), së bashku me një sipërfaqe trualli, në Palasë, Vlorë; një ndërtesë (vilë) në Sauk; një apartament në Rrugën e Elbasanit; dy sipërfaqe toke në Sauk; 4 automjete dhe 20% të aksioneve të një biznesi privat.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që 34-vjeçari dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
Top Channel