Fiks Fare/ Fajësohet viktima pas aksidentit. IML të njëjtin kampion gjaku e nxjerr me tri vlera të ndryshme alkooli

30/03/2022 20:31

Një e moshuar nga Elbasani ankohet në emisionin Fiks Fare se drejtësia ka nxjerr fajtor djalin e saj, pasi ka humbur jetën në një aksident.

Gruaja u tregon gazetarëve të Fiksit se 7 vite më parë, djali i saj Gjergji Panxhi 33 vjeç  ka mbetur viktimë e një aksidenti. Ai ishte duke udhëtuar me motorr bashkë me kushëririn, kur janë përplasur nga një kamioçinë e cila po hynte në ambientet e OSHEE-së.

Gruaja e moshuar me lot në sy rrëfen se fajtor për këtë aksident nuk ka qenë djali i saj, por  sipas hetimeve të kryera nga  prokurori Platin Aliçka rezulton po.

Zonja nuk ka besim tek drejtësia shqiptare ndaj dhe kërkon ndihmën e Fiks Fare, pasi mendon se prokurori nuk ka hetuar fare.

Gazetarët e Fiksit takojnë ekspertin Gëzim Hoxha që është edhe President i Shoqatës në Ndihmë të të Aksidentuarve. Eksperti rindërton skemën e vendit ku ka ndodhur aksidenti. Njëkohësisht ai sqaron për Fiksin se duke u bazuar nga akti i ekspertimit, fajtor për aksidentin është drejtuesi i kamionçinës dhe jo viktima.

Sipas ekspertit kamionçina i ka prerë gabimisht rrugën motorrit me të cilin udhëtonte viktima. Duke shkelur nenin 152 të kodit rrugor. Gazetarët e Fiksit në vendngjarje takojnë dhe një dëshmitar që është thirrur në kohën kur ka ndodhur aksidenti nga prokuroria për të dëshmuar rreth ngjarjes. Ai tregon  se kamionçina dhe motori po ecnin paralel ku me sy të lirë dallohej se shpejtësia e motorit ishte më e ulët se e kamionçinë.

Gjithashtu dëshmitari rrëfen se viktima ishte i shtrirë në pikën ku edhe eksperti e kishte vendosur përgjatë ngritjes së skemës së aksidentit, por policia u vonua shumë për të arritur në vendin e ngjarjes. Gazetarët takojnë edhe avokatin e çështjes . Duke treguar për Fiksin se sipas tij viktima nuk është fajtor pavarësisht se të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë dhenë vendime kundër, avokati Ilia Gugu thotë se lëvizja e fundit mbetet rekursi në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë nga aktet e ndryshme të ekspertimit avokati  nxjerr edhe një tjetër detaj. Në fotot e bëra në vendin e ngjarjes tregohet se kamioçina nuk ka pasur  pasqyrë në krahun e pasagjerit ku dhe u përplasë me motorrin. Në aktet e ekspertimit thuhet e kundërta, se pasqyra është gjetur e varur nga grupi i hetimit në vendngjarje.Po ashtu në një akt ekspertimi thuhet se kamioçina ka shkelur nenin 152 të kodit rrugor, por në vendimin e prokurorisë kjo nuk përmendet.

Në dosjen që siguroi Fiks Fare zbuloi se ekzistojnë tre norma alkooli në gjak për viktimën.

Në fillim pas analizave të kryera në Institutin e Mjekësisë Ligjore,  viktima ka rezultuar  me 0 gr/l alkool në gjak.

Pas disa ditësh e njëjta mjeke përsërit analizat e përqindjes së alkoolit në gjakun e viktimës, me arsyetimin se norma e parë është e gabuar për shkak të një problemi që kanë pasur me aparatin që mat normën. Në analizat e dyta, niveli i alkoolit në gjakun e viktimës ka dalë  1.282 gr/l .

E gjendur përpara 2 normave të ndryshme, prokuroria vendosi ripërsëritjen e kësaj analize me kampionin e gjakut që ndodhej në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Në analizën e tretë të të njëjtit kampion gjaku, niveli i përqindjes së alkoolit në gjak u rrit. Kësaj here  rezultoi se përqindja e alkoolit në gjak ishte 1.364gr/l

Pra për të njëjtin kampion gjaku, analizat e kryera në të njëjtin laborator, dolën me 3 vlera teë ndryshme të pranisë së alkoolit , ku viktima dilte çdo herë e më shumë i alkoolizuar.

FOTO GALERI
9/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA