Dyshohet se i vuri zjarrin komisariatit të Kamzës, ndërroi jetë nga asfiksia/ Hapen dyert e mortit për 26-vjeçarin e arrestuar

27/03/2022 13:15

Dyert e mortit janë hapur për 26-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në zjarrin që përfshiu mbrëmjen e një nate më parë ambientet e paraburgimit të Komisariatit të Policisë në Kamëz.

Arben Mici, i arrestuar për “Dhunë në familje”, dyshohet se i vuri zjarrin me çakmak dhomës ku po qëndronte, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Si pasojë e flakëve dhe asfiksisë ai ndërroi jetë në spital, ndërsa u plagos një polic dhe i arrestuari tjetër Dilaver Idrizi.

Trupi ka mbërritur në shtëpinë e prindërve të tij në Çekrez të Vaqarrit dhe pritet dërgimi për në banesën e fundit.

Ai njihej si person problematik, ku pjesën më të madhe të kohës nuk e kalonte në fshat, por jashtë vendit apo Tiranë.

Fqinjët janë shprehur shumë të prekur në lidhje me ngjarjen, duke bërë policinë fajtore për vdekjen e Micit.

Të lënduar jashtë rrezikut për jetën mbetën  Dilaver Idrizi, i arrestuar  për vrasje të mbetur në tentativë, si dhe polici H.B.

Dilaver Idrizi

Top Channel publikoi disa ditë më parë detaje nga Dilaver Idrizi, i cili ushtroi dhunë në mënyrë makabre ndaj partneres së tij, për shkak të një mesazhi që i erdhi për 8 Mars.

Pasi e dhunoi ai e hodhi nga ballkoni dhe ngjarjen e raportoi si aksidentale, por ishte vajza e të dhunuarës që bëri publik rastin dhe u arrit prangosja e tij. Idrizi një ditë më parë doli para trupës gjykuese, duke mohuar dhunën e ushtuara ndaj partneres.

Dy policë janë arrestuar dhe tre të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, pasi dyshohet se lejuan mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse.

Të arrestuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës” janë  oficerët  e sigurisë në dhomat e paraburgimit të të ndaluarve apo arrestuarve, F. I., 64 vjeç dhe H. B., 64 vjeç.

Gjithashtu për shkak të mos ushtrimit të kompetencave janë vënë nën hetim në gjendje të lirë L. M., 64 vjeç, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë për personat e ndaluar/arrestuar; M. M., 52 vjeç, me detyrë Nd/specialist Informacioni dhe Y. Ç., 44 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA