Gjermania e pranon: Embargoja e plotë mbi energjinë ruse, shkatërrimtare për Europën!

23/03/2022 15:50

Embargoja e plotë ndaj energjisë ruse do të ishte shkatërruese për Evropën, dhe për Gjermaninë në veçanti, pohoi hapur kancelari gjerman Olaf Scholz.

Scholz u përpoq të tregonte se vendi i tij është duke punuar për të fituar pavarësinë nga burimet ruse të energjisë, por kjo gjë nuk mund të ndodhë brenda natës.

Sugjerimet për një embargo të menjëhershme ndaj furnizimeve ruse të energjisë nuk duhen marrë parasysh, pasi ndikimi në Europë do të ishte shkatërrues. Shkëputja nuk mund të bëhet sot për nesër, sepse do ta zhyste vendin tonë dhe të gjithë Europën në recesion“.

Shefi i ekzekutivit gjerman paralajmëroi gjithashtu, se një embargo e plotë ndaj hidrokarbureve ruse do t’i çonte në prag të kolapsit të gjitha industritë dhe kujtoi sesi që tani sanksionet ekzistuese anti-ruse i kanë prekur rëndë qytetarët gjermanë.

Ai nënvizoi nga ana tjetër se NATO-ja nuk do të behet pjesë e luftës në Ukrainë. “Për këtë kemi një marrëveshje me aleatët tanë europianë dhe me Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Scholz, që shtoi megjithatë se Ukraina mund të mbështetet në ndihmën financiare dhe ushtarake të Gjermanisë.

Top Channel