Të hënën, Fondacioni i Memorialeve të Kampeve të Përqëndrimit Buchenwald dhe Mittelbau-Dora njoftoi vdekjen e Boris Romanchenko, një 96-vjeçar ukrainas i mbijetuar i katër kampeve të ndryshme naziste të përqendrimit.
Referuar njoftimit të mbesës së tij, Romanchenko vdiq në shtëpinë e tij në Kharkiv, e cila u bombardua nga ushtria ruse. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka reaguar në lidhje me ngjarjen, duke theksuar se Romanchenko “i mbijetoi Hitlerit, por u vra nga Putin”.
Boris Romanchenko ishte një emër i njohur në mesin e atyre personave që ishin marrë me krijimin e Fondacionit të Memorialeve të Holokaustit dhe që kishte punuar intensivisht për një kohë të gjatë për kujtesën e krimeve naziste.
Romanchenko lindi më 20 janar të vitit 1926 në Bondari, afër Sumy, një qytet ukrainas, i cili, ashtu si Kharkiv, është sulmuar nga ushtria ruse prej disa ditësh. The Times of Israel shkruan se ai nuk ishte hebre, por ishte internuar nga nazistët në moshën 16-vjeçare, si pjesë e terrorit të përgjithshëm të popullsisë ukrainase gjatë pushtimit që filloi në 1941.
Miriam Moskovitz, bashkëshortja e rabinit historik të Kharkiv, Moshe Moskovitz, deklaroi se Romanchenko nuk ishte i regjistruar në komunitetin hebre të qytetit.
Në vitin 1942, Romanchenko u dërgua në kampin e përqendrimit në Dortmund, Gjermani, ku u detyrua të punonte në miniera. Një vit më vonë, ai u përpoq të arratisej, por u kap dhe pastaj u çua në një kamp tjetër përqendrimi nazist në Buchenwald.
Як ми дізналися від його близьких, наш друг Борис Романченко, який пережив нацистські табори #Buchenwald, #Peenemünde, #Dora і #BergenBelsen, загинув минулої п’ятниці в результаті вибуху бомби в своєму будинку в Харкові. Ми глибоко засмучений. pic.twitter.com/AmFbSwP9vf
— Stift. Gedenkstätten Buchenwald und Mittelbau-Dora (@Buchenwald_Dora) March 21, 2022
Rreth 56 mijë persona u ekzekutuan në Buchenëald, por Romanchenko mbijetoi dhe më vonë u dërgua në Peenemunde, në një qendër ushtarake gjermane, ku mijëra të burgosur ishin të angazhuar në ndërtimin e armëve.
Romanchenko, në veçanti, u caktua për të ndërtuar raketën V2, e konsideruar si raketa e parë me rreze të gjatë veprimi në histori, e përdorur masivisht nga Gjermania në fazat e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe e njohur gjithashtu si “arma e hakmarrjes”.
Pasi kaloi përmes Peenemunde, Romanchenko u dërgua në dy kampe të tjera përqendrimi nazist, gjithashtu në Gjermani, në atë të Mittelbau-Dora dhe atë të Bergen-Belsen.
Në vitet e fundit, Romanchenko kishte marrë pjesë në disa raste në përkujtimet publike të Holokaustit.
Në vitin 2012 ai u kthye në Buchenwald, në përvjetorin e çlirimit të kampit nga ushtria amerikane teksa kishte recituar publikisht betimin e Buchenwald-it, një poezi përkujtimore e shkruar nga të mbijetuarit e parë të kampit dhe e recituar në disa gjuhë të ndryshme në raste të ndryshme përkujtimore.
Që nga fillimi i luftës, presidenti rus Vladimir Putin e ka paraqitur pushtimin si një operacion të nevojshëm për “denazifikimin” e Ukrainës, e cila është akuzuar për kryerjen e një “gjenocidi” të supozuar kundrejt popullatës pro-ruse në Ukrainë.
Vdekja e Romanchenkos për shkak të bombardimeve ruse, në vendin e Babyn Yar, një memorial i Holokaustit që përkujton një masakër naziste në Kiev, ka tërhequr përsëri vëmendjen ndaj gënjeshtrave dhe shtrembërimeve historike të propagandës ruse.
Top Channel