Zlatan Ibrahimovic ndjen pak ankth kur fillon e mendon për fundin e karrierës.
Bomberi suedez do të mbushë 41 vjeç në tetor dhe askush si ai nuk është shfaqur në nivele të larta në këtë moshë.
Kontrata me Milanin i përfundon në qershor, por nuk do të jetë problem për të të arrijë akordin e rinovimit me një klub që e ka për zemër dhe që dëshiron ta rikthejë te fitimi i trofeve.
“Ideja e tërheqjes nga futbolli më shkakton pak panik. Sigurisht që unë do të vazhdoj për aq kohë sa të jem në gjendje të arrij rezultate pozitive, por duke qëndruar mirë në fushë, pa vuajtur.
Nuk dua të kem pengje kur të tërhiqem”, deklaroi lideri i Milanit në një prononcim nga grumbullimi me kombëtaren. Suedia e tij duhet të mposhtë Çekinë dhe Poloninë për t’u kualifikuar në Katar 2022.
Aktivizimin në Botëror e do me çdo kusht dhe nëse ndodh Ibra do të vendosë të zgjasë karrierën e tij me një tjetër vit. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë pasi ta mbyll me futbollin, por, siç e kam shkruar edhe në librin tim, kam pak frikë.
Mund të filloj një rol tjetër në momentin që tërhiqem, mund të marr disa pushime ose mund të zhdukem plotësisht nga futbolli. Sigurisht që nuk do e ndjej kurrë më adrenalinën që ndjej tani.
Ne jemi të programuar të zgjohemi, të përgatitemi për stërvitje, të stërvitemi dhe të rikthehemi në shtëpi për të pushuar. Kjo vazhdon prej 20-25 viteve, por një ditë do të zgjohem dhe nuk do të ketë asgjë përpara meje… “
Në fund një batutë me gazetarin nordik, i cili e pyeti Ibrën nëse ndjente pak trishtim tani që po i afrohet fundit të karrierës. “Mendoj se ti do të trishtohesh me shumë se unë. Zbavitu dhe argëtohu, sepse nuk do të shohësh më diçka të ngjashme”.
Top Channel