“Ne e denoncuam në kohë problemin e ngordhjes të pulave por nuk u dëgjuam”. Ky është përfundimi ku mbërrin “Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor”, përmes një reagimi dërguar medias këtë të diel, duke ia lënë peshën e mos-reagimit në kohë organeve shtetërore, që paguhen për të monitoruar pularitë në vendin tonë, e treguar konsumatorëve të vërtetën e jo minimizuar atë.
“Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor denoncoi publikisht disa herë, prej një jave, se rastet e pulave të ngordhura në Durrës ishin një rast i pastër i gripit të shpendëve. Këto deklarata bazoheshin pas konsultimeve me specialistët më të mirë veterinarë të terrenit si dhe profesorë të nderuar me të cilët Shoqata jonë bashkëpunon prej kohësh”.
Kjo shoqatë mbërrin në përfundimin se dy institucione në varësi të Ministrisë së Bujqësisë kanë dështuar, të përmbushin detyrën e cila lidhet ngushtësisht me sigurinë ushqimore të shqiptarëve, siç është veza masivisht e përdorur në tryezat tona.
“I bëjmë thirrje publike Ministres së Bujqësisë të distancohet nga sjellja e pa përgjegjshme e dy institucioneve të varësisë, “Instituti Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë” dhe “Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve” të cilët në shkelje flagrante të ligjit kanë lejuar për më shumë se 20 ditë një situatë kaotike duke mos arritur në diagnozën përfundimtare në kohën e duhur” .
Kjo Shoqatë, sikurse edhe të gjithë konsumatorët shqiptarë tashmë janë në pritje të vendimeve të ministres Frida Krifca në të kundërtën paralajmëron vënien në lëvizje të SPAK , organ që në fakt s’ka pse prêt hapat e breshkës plot burokraci të administratës shtetërore.
“Për veprime dhe mos veprime në kohë të institucioneve përgjegjëse ISUV dhe AKVMB, Ministrja e Bujqësisë duhet të referojë pranë organeve kompetente një hetim të pastër dhe të paanshëm pasi jeta e Konsumatorit është rrezikuar . Ne si nje organizatë që kemi primare mbrojtjen e konsumatorit dhe prodhuesit vendor do të presim distancimin e Ministres së Bujqësisë. E kundërta do të tregojë që ministrja është pjesë e situatës së krijuar, me pasoja si për konsumatorin ashtu dhe për prodhuesit vendorë, duke rrezikuar jo vetëm jetën e qytetarëve por dhe ekonomitë e shpendarisë në Shqipëri”.
Kjo ngjarje edhe njëherë tjetër nxjerr zbuluar paaftësinë e të punësuarve nga shteti në bërjen e gardianit të sigurisë ushqimore.
Top Channel