Zv. drejtori i DVP Tiranë, Luigj Vathi në një deklaratë për mediat tha se policia vetëm ka liruar rrugën për kalimin e qytetarëve dhe nuk i ka shpërndarë protestuesit.
Ai u shpreh se ata vijojnë të protestojnë në trotuar përballë Kryeministrisë.
“Në bazë të njoftimit drejtoria ka marrë të gjitha masat deri në orën 19:00 , për kërkesën e dytë u kemi dërguar shkresë për lirim e rrugës. Policia nuk ka shpërndarë protestuesit, por ka bërë vetëm lirimin e rrugës, por ata vijojnë të protestojnë në trotuar përballë Kryeministrisë. Kemi liruar rrugën për të gjithë qytetarët e Tiranës për mbarëvajtjen. Protesta vijon dhe ne vetëm kemi bërë lirimin e rrugës”, tha ai.
Në një numër të paktë ata vijojnë të qëndrojnë para Kryeministrisë, në protestën e tetë qytetare kundër rritjes së çmimeve.
Përveç pankartave, një pjesë e qytetarëve u panë me flamurin e Ukrainës në dorë. Sipas tyre kjo ishte një përgjigje ndaj “arrogancës së kryeministrit”. Ata thanë se sensibilizimi me luftën që po zhvillohet atje, nuk do të thotë që mos të ngrihen për të drejtat e tyre.
Protesta nisi nga sheshi “Skënderbej” ku qytetarët u mblodhën për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë dhe për të bërë aty gjithë thirrjet e tyre.
Revolta e qytetarëve erdhi pas mëngjesit të 7 marsit, kur çmimet e produkteve të ndryshme, në supermarkete, apo shërbime të tjera, si transporti rrugor, pësuan një rritje drastike.
Çmimi i naftës, brenda 24 orëve, u kushtoi atyre 30-35 lekë më shumë se një ditë më parë.
Kështu pasditja e së mërkurës i gjeti qytetarët poshtë derës së “drejtuesit të qeverisë”, si për t’i kërkuar “llogari” për çdo qindarkë të shpenzuar më tepër.
Për disa ditë me radhë manifestimet u shtrinë në akset kryesore të Tiranës dhe në disa qytete të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka konsideruar si “protestat më të turpshme, që Shqipëria as ka pasur as s’do të ketë ndonjëherë”.
Ai shtoi se edhe reagimi mbështetës ndaj tyre është i turpshëm.
Çfarë përmban paketa e rezistencës?
Bëhet fjalë për një paketë me shtatë pika.
E para është derdhja e menjëhershme e 3.6 milionë lekëve për të indeksuar pensionet. Pika e dytë do të jetë kompensimi i çmimeve të shportës për 434 mijë përfitues.
Pra, Qeveria do të japë 3 mijë lekë të vjetër për disa kategori: pensionistëve, personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët me ndihmë ekonomike.
Gjithashtu, pika e tretë do të jetë mbëstetja për fermerët, me naftë pa taksa do të shkojë në 1.5 miliardë dollarë.
Pika e katërt është mbështetja për qytetarët që përdorin linjat urbane, duke depozituar 500 milionë lekë. Kështu nuk do të preket çmimi i biletës.
Po ashtu, do të futet në fuqi ligji, për përgjysmim e taksës për pagat mbi 500 mijë lekë të vjetër.
Pika e gjashtë, është rritja e pagës minimale, që në muajin prill shkon 320 mijë lekë të vjetër.
E fundit, është mbrojtja e çmimit të energjisë – qeveria do të depozitojë 200 milionë dollarë.
Top Channel