Shtetasit ukrainas që po i largohen luftës në vendin e tyre mund të vijnë në Shqipëri dhe të jetojnë deri në një vit pa leje qëndrimi.

Ky vendim u miratua këtë të premte nga kryeministri Edi Rama, që ngarkon Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e tij.

Deri më tani, vendi ynë ka mirëpritur disa familje ukrainase. 351 shtetas ukrainas ndodhen në vendin tonë.

Një ditë më parë gazetari Mikel Marsi intervistoi dy familje ukrainase që mbërritën nga Kharkivi i shkatërruar në Vlorë. Ata udhëtuan në shumë vende përpara se ta gjenin paqen dhe qetësinë në qytetin bregdetar shqiptar, për të cilin u kishin treguar të afërmit që kaluan pushimet verën e kaluar.

Ivan Shevcenko tregon se bashkë me prindërit i është dashur të udhëtojnë rreth 5 ditë për të ikur nga tmerri I luftës dhe për të mbërritur në Vlorë.

Kemi nisur udhëtimin prej datës 5 Mars e kaluam në  Hungari,Serbi dhe Maqedoni, për të mbërritur në Vlorë,vend të cilin na i rekomandoi një mik i cili më herët ka qenë me pushime këtu”, thotë Ivan Shevcenko.

Bashkë me ata në Vlorë ka mbërritur edhe familja tjetër Katerina Tallash, Anatoli dhe Ludmilla Tallash  administronin një  biznes në Karkiv. Ata thonë se ikën nga Putini dinak dhe shkaktarin e vërtetë të luftës, të cilin e quajnë edhe Hitleri i dytë.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i tha ambasadorit të Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov se të gjithëve u ofrohet mbrojtja e përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor që ne kemi për azilin dhe se të tjera masa lehtësuese për hyrjen dhe qëndrimin e tyre do të miratohen në vijim nëse është e nevojshme.

Top Channel