Në vitin 2009 në QSUT, pas një pune disa vjeçare, ekipi shqiptar arriti të kryente transplantin e parë të veshkës.
Themelet për kryerjen e transplanteve të veshkave në Shqipëri u hodhën në vitin 2006, kohë kur nisi krijimi i infrastrukturës për realizimin e transplanteve në vendin tonë. Falë një investimi mbi 1 mln euro u ngrit salla me të gjitha parametrat, u specializuan stafet dhe u premtua se transplanti do të ishte një rutinë për QSUT-në me afërsisht 20 raste në vit. Ndërkohë në listë pritje ishin rreth 500 pacientë.
Paradoksalisht sallës së transplanteve në QSUT, që ishte teknologji e fundit, iu vu kyçi. Aktualisht tranplanti i veshkës ofrohet vetëm nga spitalet private. Sigurisht i rimbursuar nga shteti.
Mjeku i njohur Mustafa Xhani, i cili ka drejtuar për vite të tëra shërbimin e urologjisë, ku edhe u vendos salla e tranplanteve, ishte në krye të ekipit të cilët u specializuan për transplantet. Ai ende nuk e ka të qartë se përse u ndërprenë transplantet në QSUT.
“Unë kam shkuar vetë tek drejtoresha që tani është edhe ministre e shëndetësisë dhe i kam thënë që ne i kemi kapacitet për ta bërë këtë ndërhyrje, ndoshta jo 20 por 10-12 në vit ne mund ti realizonim, por asgjë’ u shpreh doktori Mustafa Xhani, urolog
Sipas tij QSUT e ka të gjithë infrastrukturën dhe kapacietet për të realizuar këtë ndërhyrje kaq delikate, por e gjitha është çështje vullneti. Këtu, lindin dyshime për interesat e privatëve.
“Unë e kam ende një pikëpyetje se përse kjo ndërhyrje nuk realizohet në QSUT. Lekët janë hedhur, stafi është trajnuar” u shpreh Mustafa Xhani, urolog
Paketa e transplantit të veshkave është njëra prej ndërhyrjeve më të kushtueshme aktualisht realizohet vetëm në spitalet private. Kjo paketë është përllogaritur të ketë një kosto prej 1.2 mln lekë të reja ose 10 mijë euro për çdo ndërhyrje. Ndërkohë që “flakja akute” që është një tjetër diagnozë ka një kosto prej 500 mijë lekësh të reja. Ministria e Shëndetësisë thotë se përgjatë vitit 2021 i janë nështruar kësaj procedure 30 pacientë me një kosto 36.7 mln lekë. Të gjithë këto para kanë shkuar në privat, pasi për arsye të paqarta shteti nuk e ofron dot.
Ironikisht në vitin 2019, teksa inspektonte aparaturat e reja të hemodializës në QSUT, Ministrja Ogerta Manastrilliu riktheu sërish premtimin për transplantin e veshkës në QSUT, por deri më tani asgjë nuk është bërë.
Top Channel