Nëse pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të vazhdojë gjatë, 30 për qind e popullsisë prej 44 milionë banorësh të këtij vendi rrezikon të përballet me varfërinë e skajshme, ndërsa mbi 60 për qind do të varfërohet brenda një viti: këtë tregojnë përllogaritjet e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Projeksioni i këtij organizmi, i publikuar së fundi, bazohet në vlerësimet e qeverisë ukrainase se lufta deri më tani ka shkaktuar një humbje prej të paktën 100 miliardë dollarësh të infrastrukturës kryesore si rrugët, urat dhe spitalet, dhe ka shkaktuar mbylljen e të paktën gjysmës së bizneseve të Ukrainës, ndërsa gjysma tjetër nuk funksionon me kapacitet të plotë. “Lufta në Ukrainë po u shkakton vuajtje të paimagjinueshme njerëzve atje, me humbje tragjike të jetëve dhe zhvendosjen e miliona personave.
Ndërsa nevoja për ndihmë të menjëhershme humanitare për ukrainasit është e një rëndësie të madhe, ndikimet akute të zhvillimit të një lufte të zgjatur po bëhen tani më të dukshme”, u shpreh një zyrtar i OKB-së, Achim Steiner. “Një rënie alarmante ekonomike dhe vështirësitë e medha që do t’i sjellë ky konflikt një popullsie tashmë të traumatizuar duhet të vihen në fokus më të mprehtë. Ka ende kohë për të ndalur këtë trajektore të zymtë”, shtoi ai. Punonjësit e spitalit në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, sakaq, e gjejnë veten në dy vija të frontit, duke luftuar edhe COVID-19 në njësitë e kujdesit intensive teksa jashtë godinës vazhdojnë bombardimet.
Spitali Rajonal i Sëmundjeve Klinike Infektive në Harkiv – objekti kryesor i qytetit për trajtimin e pacientëve me virus gjatë gjithë pandemisë – po vazhdon të përballet me pandeminë. Drejtori i tij, Pavel Nartov, tha se sirenat e sulmit ajror bien disa herë në ditë, duke i detyruar pacientët të strehohen në një vend të improvizuar për t’u mbrojtur nga bombat. Rastet zyrtare ditore të Ukrainës me COVID-19 arritën nivele rekord në shkurt, por kanë rënë që kur Rusia filloi pushtimin. Duket se duke iu larguar luftës, njerëzit kanë harruar shqetësimet e koronavirusit.
Top Channel