Në tri ferma të rritjes së shpendëve në Durrës ka pasur ngordhje masive të pulave si pasojë e një sëmundjeje infektive që i ka prekur ato. Sëmundja është konstatuar dy javët e fundit brenda të cilave deklarohet të kenë ngordhur rreth 500 mijë pula në tri prej pularive më të mëdha që mbulojnë nevojat për vezë e pula të tregut.
Paraprakisht, deklarohet se bëhet fjalë për laringotrakeit, i njohur dhe si gripi i pulave, një sëmundje infektive me përhapje të shpejtë. Shpezët e ngordhura janë asgjësuar në krematoriumet e pularive, ndërsa po punohet për t’i mbajtur të izoluara këto vatra. Burime nga Drejtoria e Bujqësisë bëjnë të ditur se janë ende në fazë hetimi dhe kontrolli dhe në pulari të tjera të Durrësit.
Analiza të vazhdueshme po kryhen për të mbajtur nën kontroll situatën. Në Durrës autoritetet përgjegjëse të Bujqësisë dhe AKU-së bëjnë me dije, jo zyrtarisht, se nuk ka fakte për cenimin e shëndetit publik. Sipas tyre, bateritë e pulave të infektuara janë asgjësuar dhe në treg nuk rezulton të ketë produkte, vezë dhe mish të tyre.
Ndërkohë ka dyshime edhe në qarkun e Korçës ka prekje të gripit të shpendëve, është një rast që është çuar për analiza, thotë Adriatik Skenderasi përgjegjës i sektorit veterinar pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Korçë.
Top Channel