Edhe pse si Moska, ashtu edhe Pekini i hodhën poshtë si të pavërteta pretendimet e Shteteve të Bashkuara se Rusia i ka kërkuar Kinës ndihmë ushtarake, një sërë ekspertësh po përpiqen të kuptojnë sesa larg do të ishte i gatshëm lidershipi kinez të shkonte, në mbështetje të atij që e konsideron si partneritetin e vet më të rëndësishëm strategjik.
Një gjë e tillë nuk do të ishte e pamundur, megjithatë se janë disa faktorë që i zbehin gjasat e një ndihme të Pekinit për Moskën. Së pari, nëse Kina ndihmon Rusinë, do të dukej keq. “Kina do të jetë shumë e kujdesshme dhe do të bëjë më të mirën që të shmangë mundësinë që ndihmat e saj të përdoren në fushëbetejat e Ukrainës”, thotë Shi Yinhong, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Renmin në Pekin, i cituar nga REL.
Sam Roggeveen, drejtor i Programit për Siguri Ndërkombëtare në Institutin australian Lowy mendon madje se një Rusi e dobësuar do t’i shkonte për shtat Kinës në aspektin strategjik dhe ekonomik. Edhe nëse Kina ndihmon vërtet, me shumë gjasë ajo do të ofrojë elemente të vogla, siç janë plumbat dhe ushqime më shumë sesa avionë luftarakë dhe tanke.
Pekini dëshiron të shmangë një shitje të armëve të profilit të lartë për Rusinë në mes të një konflikti që do të mund ta ekspozonte atë ndaj sanksioneve ndërkombëtare”, shprehet Drew Thompson, ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Nga ana tjetër, specialistët konsiderojnë se edhe Rusia vetë do ta kishte praktikisht të pamundur, që brenda një kohe të shkurtër të integrojë armatimet kineze në forcat e saj të armatosura.
Top Channel