Prej 10 vjetësh, Edmira Toskes nga fshati Ferras i Divjakës, i është dashur të përballojë e vetme të gjitha punët e fshatit.
Prindërit e moshuar e kanë mësuar atë se si të jetë një fermere e zonja.
“Tani po bëj prerje e lakrës. Unë mund të bëj çdo punë që bëjnë burrat. Asgjë nuk është e pamundur”, thotë Edmira Toska.
Ajo që duket e pamundur ama, është qe blegtorja Edmira Toska, të mbajë fermën e saj në konkurrencë me tregun e importeve, nga ku qumështi e mishi vijnë me çmime më të ulëta.
“Tani po marr lakër për lopë duke qenë se jemi ngushtë me ushqimin. Bagtitë janë nevojë për njomishte që të japin rendiment më shumë”, shprehet blegtorja.
Që të kuptosh se sa vështirë e kanë blegtorët vendas, të pambrojtur përballe importit, mjaft të numërosh gjedhët e fermës së Edmirës. Në këtë stallë, ku dikur kishte 120 krerë, sot numërohen më pak se 60. Edmira thotë se nga Ministria e Bujqësisë ka përfituar vetëm 5 milion lekë të vjetra nëpërmjet Skemës Kombëtare, shumë kjo e papërfillshme përballë nevojave që ka ferma.
“Prodhimi që ne nxjerrim nuk shitet aq sa e meriton. Litri i qumështit para 3 vjetësh ka qenë me 380 Lek tani është 450-480 Lek marin fermat që janë si unë. Ndërsa fermat më të mëdha marrin 600 Lek. As vetë nuk e di pse është kjo diferencë”, thotë ajo.
Ndërkohë, kostot e prodhimit të qumështit janë dyfishuar, pavarësisht kësaj çmimi nuk ka ndryshuar. Qumështi i pasterizuar që vjen nga Serbia momentalisht kushton 14 cent më pak, kjo diferencë çmimi bën që tregtarët e mëdhenj në vend të qumështit “Made In Albania”, të preferojnë qumështin nga Serbia.
“Unë 2 milion e 200 mijë lekë kam marr vetëm dapin për jonxhën. Po nuk i hodha dapin jonxhës më mirë shiti se të ngordhin. Çdo gjë tjetër është në rritje, kurse prodhimi i fermës as nuk ngrihet as nuk ulet”.
Në Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, fermeri subvencionohet për ushqimin e gjësë së gjallë, për numrin e krerëve dhe për litër qumësht. Në Shqipëri fermeri mbështetet vetëm për numrin e krerëve dhe me një shumë të pamjaftueshme. Edmira thotë që nuk do të heqë kurrë dorë nga ferma. Megjithëse realiteti është krejt tjetër nga dëshirat e saj.
“Ëndrra imë është që ta rris fermën. Por mesa shoh jo. Ne thjesht po mbijetojmë”, shprehet blegtorja.
Top Channel