Paga mesatare 60 mijë lekë/ Në fundin e vitit 2021 pagat pësuan rritje me 8.4 për qind

12/03/2022 15:51

Paga mesatare në Shqipëri ka arritur drejt 60 mijë lekëshit. Në tremujorin e katërt të 2021-it pagat pësuan rritje me 8.4%, një nga rritjet më të forta në pesë vitet e fundit.  

Por, kjo rritje në paga u zbeh nga inflacioni. Rritja e çmimeve ka gërryer gjysmën e rritjes në nivelin e pagës mesatare.

Rritja e fortë e pagave erdhi nga kompanitë në fushën e “Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit” dhe ato të “Informacionit dhe Komunikimit” që përfshijnë kompanitë teknologjike dhe ato të telekomunikacionit.

Në kontrast me kompanitë financiare pagat e të cilave janë dy herë më të larta sesa mesatarja kombëtare, në sektorin e bujqësisë pagat janë 40% më të ulëta, duke treguar se niveli i pabarazisë në paga në vend vazhdon të thellohet.

Ndërkohë në administratën shtetërore paga mesatare ka arritur 70 mijë lekë, ndërsa në sektorin privat  54 mijë lekë.

Në vend profesioni më i paguar vazhdon të mbetet ai i deputetëve dhe nëpunësve të lartë të shtetit, ndërsa pas tyre vijnë specialistët me arsim të lartë sipas statistikave zyrtare.

Tregu i punës po vazhdon të japë shenja mjaft të dobëta sa i përket rimëkëmbjes. Në tremujorin e katërt të vitit 2021 papunësia është rritur me 0.1% në krahasim me një tremujor më parë, pa mundur të mbajë ritmin pozitiv të uljes.

Shifra e papunësisë në vend vazhdon të mbetet dyshifrore në nivelin 11.4%, pa u rikuperuar nga goditja që i dha pandemia, por sërish vjen me ulje nga niveli i lartë prej 11.9% në fillimin e vitit.

Alarmues është fakti se në bujqësi punësimi është ulur me 5,3% në krahasim me një vit më parë, ndërsa është rritur në sektorin e industrisë dhe shërbimeve.

Sipas statistikave gati 60% e forcave aktive janë të punësuar, ndërsa sipas shifrave nga zyra e punësimit janë 25 mijë vende të lira pune, që nuk po plotësohen nga tregu vendas. Një faktor kryesor për këtë është emigrimi.

Top Channel