Dita e tretë e protestës. Shoqërohen disa persona në polici, protestuesit bllokojnë disa akse rrugore

11/03/2022 19:00

Sot ishte dita e tretë e protestës në Tiranë dhe qytete të tjera pasi qytetarët kundërshtojnë rritjen e çmimit të naftës që për pasojë ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të tjera.

Në Tiranë u mblodhën dhjetëra qytetarë, të cilët qëndruan rreth 2 orë para kryeministrisë ndërsa më pas u zhvendosën në rrugën e Durrësit dhe tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi. Ata paralajmëruan se ditën e nesërme në orën 11:00 do të jetë protesta më e madhe pasi do të vijnë edhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Ditën e sotme, situata e tensionuar ishte në Durrës ku qytetarët bllokuan rrugët e qytetit dhe pati përplasje pasi thyen kordonin e policisë për të bllokuar autostradën Tiranë-Durrës.

20:30 Reagon presidenti Meta: Policia të distancohet nga ndalimet e pajustifikuara

Ilir Meta: I bëj thirrje Qeverisë të dëshmojë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e të gjitha çështjeve që po shqetësojnë me të drejtë qytetarët, të cilët prej ditësh po protestojnë, në mbarë vendin, për dinjitetin dhe të drejtat e tyre thelbësore.
Policisë së Shtetit i tërheq vëmendjen për t’u distancuar nga dhuna e papranueshme dhe ndalimet e pajustifikuara.

19:30 – Protesta në Tiranë, bllokohet rethrrotullimi i Zogut të Zi 

Protestuesit janë zhvendosur tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Të pranishëm janë forca të shumta policie që po përpiqen të shpërndajnë protestuesit.

19:15 Protestuesit në Durrës hapin rrugën, vijon normalisht lëvizja e kamionëve dhe automjeteve që mbetën në mbikalim.

19:09 Protesta në Tiranë/ Qytetarët marshojnë në bulevard

Pasi qëndruan rreth 2 orë para kryeministrisë, qytetarët nisën marshimin në bulevard duke bllokuar rrugët.

“Populli i bashkuar” dhe “Asnjë lekë më shumë” dëgjohen duke brohoritur njëzëri protestuesit.

18:55 – Reagon kryeministri Edi Rama

Me anë të një postimi në Twitter, Rama thotë se nuk është populli, por pakica e zhurmshme në kërkim të rrëmujës. Sipas tij, protestat janë përpjekje e ulët e të njëjtave hije të së shkuarës duke iu referuar opozitës që e cilëson ndryshe si “dorën e nongratave të shpallur e të pashpallur”.

“Për kë e njeh dorën e nongratave të shpallur e të pashpallur, këto protesta janë një përpjekje e ulët e të njëjtave hije të së shkuarës për të manipuluar njerëzit duke hedhur gurin e fshehur dorën! Ky nuk është populli, por e njëjta pakicë e zhurmshme në kërkim të rrëmujës!”, shkruan Rama.

18:41 – Mbyllet protesta në Shkodër, Lezhë, Lushnje dhe Laç.

18:33 – Bllokohet lëvizja e kamionëve drejt portit të Durrësit. Dhjetëra kamionë e automjete kanë mbetur në mbikalim. Forca të shumta policore po përpiqen të lirojnë rrugën ndërsa kanë bllokuar hyrjen në mbikalim të protestuesve. Nisin thirrjet kundër qeverisë dhe thirrja ‘Turp’.

18:28 Shoqërohen mbi 10 persona në komisariat nga policia e Lezhës. Mes të shoqëruarve janë dhe 2 vajza.

18:24 – Protestuesit nuk dorëzohen. Një pjesë e tyre ngjiten në mbikalim, në sens të kundërt, për të dalë sërish në autostradë e bllokuar qarkullimin

18:17 – Protestuesit kanë ndaluar poshtë mbikalimit te Ura e Dajlanit dhe bëjnë thirrje që shoferët të fikin makinat. Pas çarjes së kordonit të policisë janë bërë dhe shoqërimet e para. Numri i lartë i të proceduarve për protestën e një dite më parë ka ndikuar në uljen e numrit të protestuesve në këtë ditë të tretë të protestës në Durrës.

18:10 – Protestuesit po lëvizin drejt Urës së Dajlanit që lidh qytetin e Durrësit me autostradën, ndërsa një pjesë po përpiqen të bllokojnë qarkullimin edhe në rrugën paralel me rrethimin e portit. Qytetarët kanë bërë thirrje që të mos ndërhyjë policia, të cilët kanë bërë edhe shoqërime. Ndërsa protestuesit kanë arritur të çajnë kordonin e policisë, të tjera forca kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të ruajtur gardhin e policisë.

Durrës – Qytetarët në Durrës protestojnë kundër rritjes së çmimeve ndërsa disa prej tyre mbajnë në dorë pankartën “protesto edhe ti për rritjen e pagave dhe pensioneve”. Në protestë ka prani të shtuar forcash policore që janë për të parandaluar çdo bllokim rruge. Protestës i bashkohet dhe Konfederata e Sindikatave.

Lezhë Qytetarët janë ulur këmbëkryq në rrugë duke shkaktuar radhë të gjatë mjetesh pasi bllokuan autostradën Lezhë-Shkodër. Nuk ka zgjatur shumë çaste sepse ka ndërhyrë policia.

Bulqizë – Protesta ka nisur edhe në Bulqizë pasi protestuesit kanë bllokuar rrugën nacionale. Policia po përpiqet të ndalojë protestuesit që të marshojnë në rrugë.

Shkodër Qindra qytetarë po marrin pjesë në protestë në qytetin e Shkodrës. Qytetarët kanë nisur të marshojnë nëpër qytet duke pezulluar lëvizjen e automjeteve. Nuk kanë munguar pankartat, përmes të cilave qytetarët përpiqen të japin mesazhet e tyre.

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, çmimi i naftës këtë të premte ka nisur të ulet, por sipas një vëzhgimi të korrespondentëve të Top Channel në të gjithë vendin, vihet re se disa kompani ende abuzojnë duke e mbajtur çmimin më lart se të tjerët.

FOTO GALERI
1/45

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA