Sot është dita e dytë që qytetarët protestojnë para kryeministrisë për rritjen e çmimit të naftës. Dhjetëra protestues janë mbledhur për të kërkuar që të hiqet taksa e naftës në mënyrë që të ulen çmimet e produkteve të tjera.

Njësoj si ditën e djeshme, ata kanë dalë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të bllokuar qarkullimin e mjeteve, të cilëve i kërkojnë që të fikin makinat në shenjë proteste. Protestuesit janë ulur në kryqëzim ndërsa i janë bashkuar dhe disa shoferë mjetesh, por më pas u shpërndanë me ndërhyrjen e policisë.

Çmimet e karburanteve vazhdojnë të thyejnë rekorde në vend. Të mërkurën, shifra arriti në 260 lekë/litri, ndërsa të gjitha produktet e shportës po ashtu janë shtrenjtuar në tre muajt e fundit.

Pasditen e djeshme, qytetarët u ngritën në protesta në qytetet kryesore të vendit. Në kryeqytet ishte pjesëmarrja më e madhe. Nën moton as të majtë, as të djathtë, por popull, qytetarët kërkuan nga qeveria uljen e taksave, subvencione dhe ngrirjen e çmimeve për produktet e shportës. Protesta u mbyll me ndërhyrjen e policisë pasi qytetarët po bllokonin rrugët duke bindur shoferët që të fiknin makinat, ndërsa mbetet për tu parë se si do të shkojë protesta sot.

Top Channel