Harris në Poloni: Jo avionëve Mig29, por as sherr me aleatët!

10/03/2022 14:29

E nisi me Poloninë, do ta vazhdojë me Rumaninë vizitën e saj dy ditore zv/presidentja amerikane, Kamala Harris, fokusi i të cilës është pushtimi rus në Ukrainë dhe ndikimi i luftës në rajon.

Vizita e saj në Varshavë erdhi në mesin e një mosmarrëveshjeje të papritur diplomatike lidhur me furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë. Qeveria polake doli dy ditë më parë me një plan për të transferuar në  bazën amerikane në Gjermani, avionët e saj të prodhimit rus, MiG-29, në mënyrë që ato më pas t’u jepen pilotëve ukrainas për të luftuar me forcat ruse. Në këmbim, SHBA-ja do ta furnizonte Poloninë me avionët e prodhimit amerikan.

Por, Polonia nuk e kishte ndarë paraprakisht këtë ide me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, para se ta bënte publike. Prandaj, Pentagoni menjëherë e hodhi poshtë këtë ide si të paqëndrueshme. Harris megjithatë, u përpoq t`i ulte gjakrat. SHBA ka diskutuar prej kohësh më Poloninë mbi rrugët më të mira për t`i ofruar Ukrainës asistencë sigurie. KY dialog absolutisht që do të vazhdojë, u shpreh ajo në takimin me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, sqaroi një ditë më parë se vizita e Harris  nuk ishte e lidhur me avionët dhe shtoi se kjo çështje po “trajtohet përmes kanaleve ushtarake”.

Top Channel