Policia e Shtetit ka reaguar për protestën e ditës së sotme pasi qytetarët bllokuan lëvizjen e automjeteve duke i kërkuar që të fiknin makinat.
Policia e Shtetit thotë është në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë dhe në mbrojtje të çdo qytetari i cili proteston në mënyrë paqësore, pa cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve.
Por u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos përfshihen në akte dhune dhe paligjshmëri, në çfarëdolloj forme të shfaqjes së saj, sepse do të përballen me forcën e ligjit.
Çmimet e karburanteve vazhdojnë të thyejnë rekorde në vend. Të mërkurën, shifra arriti në 260 lekë/litri, ndërsa të gjitha produktet e shportës po ashtu janë shtrenjtuar në tre muajt e fundit.
Qytetarët u ngritën në protesta në qytetet kryesore të vendit, por në kryeqytet ishte pjesëmarrja më e madhe. Nën moton as të majtë, as të djathtë, por popull, qytetarët kërkuan nga qeveria uljen e taksave, subvencione dhe ngrirjen e çmimeve për produktet e shportës. Protesta u mbyll me ndërhyrjen e policisë pasi qytetarët po bllokonin rrugët duke bindur shoferët që të fiknin makinat, por paralajmëruan se do të jenë edhe nesër para kryeministrisë për të protestuar.
Top Channel