Atletët e “artë”/ Flasin për Top Channel Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, fitues në ligën ballkanike

07/03/2022 20:25

Atletët shqiptarë arritën të ishin mes më të mirëve në Ligën Ballkanike të sallave të atletikës së zhvilluar në Stamboll të Turqisë.

3 medaljet e marra nga Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj bën të mundur sërish që vendi ynë të jetë në podiumin e mbretëreshës së sporteve.

Të dy sportistët kuqezi tregojnë emocionet e garës që tashmë për ta është kthyer në traditë, pasi Luiza Gega e fiton për herë të 8-të këtë medalje të artë në këtë aktivitet ballkanik.

 “Është shumë e vështirë të mbash këto nivele për një periudhë të gjatë, por kur e fiton kaq shumë herë një aktivitet të bëhet e domosdoshme që ta marrësh atë medalje”, thotë atletja Luiza Gega.

Por ndryshe nga vitet e shkuara në këtë edicion medalja kishte edhe një shpërblim financiar prej 1 mln lekësh dhe Luiza Gega tregon sforcon e sajë për të zhvilluar 2 gara brenda 45 minutave.

“Kjo ishte dhe një nga arsye që vendosa të bëjë dy gara brenda 45-50 minutave, tek njëra ja dola tek tjetra jo sepse shpërblim ka vetëm medalja e artë, por ok është edhe kështu pasi gara garë është mund të dalëshe dhe pa gjë”, shprehet Gega.

Ndërkohë Izmir Smajlaj për herë të gjashtë shpallet kampion Ballkani në kërcimin e tij së gjati. Në pamje të parë duket si një garë e personalizuar por atleti shkodran tregon se kjo Ligë më tepër i ngjan një Europiani për shkak të pjesmarrjes.

 “Mund ta quaj liga ballkanike pasi këtu marrin pjesë çdo vit edhe më shumë sportistë, në këtë edicion ishin të pranishme 23 shtete, gjysma e Europës”, thotë Izmir Smajlaj.

Me këtë aktivitet për Smajlajn mbyllet edhe edicioni i garave të sallave, për të nisur përgatitjet për aktivitetet e radhës.

“Tashmë na presin lojërat mesdhetare, më pas do të jetë kampionati europian që do të jenë synimet e mija për të marrë maksimumin”, shprehet Smajlaj.

Ndërkohë Luiza Gega do të marrë pjesë më 17 mars në kampionatin botërorë të atletikës së sallave që do të zhvillohet në Beograd.

Top Channel