SHBA, sanksione të tjera: Oligarku var veten në vilën e tij

04/03/2022 11:19

Uashingtoni ka vendosur sanksione të reja mbi elitën ruse, e cila vazhdon të mbështesë Presidentin Putin, pavarësisht sulmit brutal të tij ndaj Ukrainës.

Departamenti i Thesarit tha se këta individë janë pasuruar në kurriz të popullit rus dhe se anëtarë të familjeve të tyre janë vendosur në poste të larta në Rusi. Të tjerë drejtojnë kompani të mëdha ruse dhe janë përgjegjës për sigurimin e burimeve të nevojshme për të mbështetur sulmin që Vladimir Putin po kryen ndaj Ukrainës.

Sipas Departamentit të Thesarit këta individë dhe anëtarët e familjeve të tyre do të shkëputen nga sistemi financiar amerikan, pasuritë e tyre në Shtetet e Bashkuara do të ngrijnë dhe pronat e tyre do të bllokohen.

Mes personave të shënjestruar me sanksione është dhe Alisher Burhanovich Usmanov, një nga individët më të pasur të Rusi dhe një aleat i ngushtë i Putin. Prona e tij do të bllokohet në Shtetet e Bashkuara ndërsa super jahti iu sekuestrua një ditë më patë.

Po kështu do të sanksionohet dhe zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, i konsideruar si furnizuesi kryesor i propagandës së tij.

Ndërkohë, një oligark i lindur në Ukrainë por që jetojnë në Londër është gjetur i varur në vilën e tij. Mendohet se manjati 66 vjeçar i gazit dhe naftës, Mikhail Watford, ka vrarë veten. Persona pranë tij thonë se Watford ishte i tmerruar nga ideja që Putin mund ta kishte vendosur në listën e vet të zezë të individëve që kërkonte të eliminonte, ndërsa situata në Ukrainë e kishte renduar edhe me shume psikologjikisht.

Top Channel