Një çift që pretendonte se fqinji dashakeq i kishte vendosur një manekin në dritaren e papafingos së tij që “shikonte” nga dhoma e tyre e gjumit, ka humbur ankesën e tyre në gjykatë në Britani.
Stilistja Rosie Taylor-Davies, dhe bashkëshorti Christopher, thonin se detyroheshin të ndërroheshin prapa një rafti librash dhe të qëndronin në errësirë ose me perdet e mbyllura, pasi fqinji i tyre Simon Cook, hapi një dritare që shihte nga dhoma e tyre e gjumit.
Ata thanë në gjykatë se dritarja nuk ishte bërë me xham akulli siç parashikohej nga bashkia, por për më tepër fqinji i tyre dashakeq vendosi aty një manekin ‘bionde’ që dukej sikur përgjonte gjithë kohës nga shtëpia e tyre.
Gjykatësi rrjedhimisht vendosi se zoti Cook nuk ishte merakosur për shqetësimet e privatësisë së fqinjëve të tyre por dritarja e tij nuk shkelte rregullat ndërtimore të planifikimit.
Zoti Cook kishte aplikuar për ndërtimin e papafingos së tij me dritare në formë kanatesh dhe zoti e zonja Taylor-Davies ishin ankuar për shkelje të privatësisë së tyre me dritaren e re në katin e tretë.
Por këshilli bashkiak i Wandsworth lejoi kërkesën e ndërtimit të Cook dhe përcaktoi se dritarja e papafingos duhet të kishte xham të errësuar akulli pa mundësi hapjeje.
Më vonë këshilli hoqi dorë dhe nga ky rregull me argumentimin e të zotit se “dritarja shihte nga qielli”.
Dy shtëpitë qëndrojnë në një rrugë të pjerrët dhe ajo e Cook qëndron më lart se e fqinjëve, argumentonte avokati Whale, duke shtuar se kushdo që shikon nga dritarja e papafungos sheh mbi dhomën e gjumit dhe dushin e familjes Taylor-Davies.
Ndërsa vendimi i Cook për të instaluar manekinin, sipas avokatit “shërben për të dhënë përshtypjen se një person mbikqyr gjithë kohës shtëpinë e tyre duke u shkelur privatësinë. Kjo shton shumë stresin e personave që banojnë aty”.
Duke folur pas vendimit, zoti Taylor-Davies tha se po merrnin në konsideratë të zhvendoseshin nga shtëpia ku kanë jetuar për më shumë se 20 vjet.
Top Channel