Vetëm 2 ditë para zgjedhjeve të 6 marsit në 6 bashki të vendit, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka folur për procesin e votimit elektronik në Vorë duke thënë se procesi do të testohet pasditen e sotme.
Celibashi: Do të marrim të gjitha masat që të mos kemi probleme për administrimin e procesit zgjedhor. Për procesin e votimit elektronik në Vorë, sot në orën 14:00, KQZ do të testojë procesin. Dua të rikonfirmoj që jo vetëm bazuar në eksperiencën e zgjedhjeve të tilla në KZAZ nr.40 në Tiranë, në tërësi është proces që garanton siguri dhe nuk ka asnjë shkak apo pretekst për ta vënë në diskutim këtë proces. I ftoj qytetarët e Vorës të marrin pjesë në votime. Thirrja vjen për votuesit e të gjithë bashkive të tjera për të marrë pjesë në votime.
Ndërsa për këdo që kryen shkelje duke u përfshirë në shitblerje vote apo ndikim qytetarësh, Celibashi tha se do të ballafaqohen me organet e drejtësisë.
Celibashi: Për disa fenomene që janë konsideruar dhe kriminale në zgjedhjet e tjera, kushdo që do të përfshihet në procesin e shitblerjes së votës aspo të ndikimit të qytetarëve, do të ketë pasoja dhe nuk më vjen mirë ta sjell në vëmendje qoftë dhe prej natyrës time, por një pjesë jo e vogël e atyre rasteve e personave që KQZ i ka evidentuar janë duke u ballafaquar me organet e drejtësisë. Mirëkuptim për të gjithë se nuk është kërcënuese por nëse dikush e ka guximin të ketë ballafaqim me organet e drejtësisë, mundet ta bëjë dhe këtë. Të gjithë ata që evidentojnë shkelje të tilla, ti denoncojnë në organet e ndjekjes penale.
Top Channel