Rusia në Hagë për krime lufte: U vranë 2 mijë civilë/ Shqipëria mes 38 firmëtarëve!

03/03/2022 12:05

Pas akuzave se gjatë mësymjes së saj mbi Ukrainë janë bombarduar civilë, Rusia gjendet tani përballë një hetimi për krime te mundshme lufte.

Gjykata Ndërkombëtare Penale pohoi se po mblidhen prova gjithashtu edhe për krime kundër njerëzimit dhe genocid. Lëvizja e saj erdhi pasi 38 vende u bënë bashkë për të referuar situatën e Ukrainës në zyrën e kryeprokurorit, duke nënvizuar sesi nën breshërinë intensive të bombave e raketave ruse kanë rënë disa qytete të rëndësishmë, përfshirë Kievin, Kharkivin dhe Khersonin.

Të tilla akuza, së pari u dëgjuan nga goja e kreut të shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky i cili foli për krime lufte pasi sulmet ajrore në qytetin e dytë më të madh të vendit, Kharkiv morën jetën civilësh. Shërbimet shtetërore ukrainase të inteligjencës flasin për më shumë se 2000 civilë të vrarë që prej fillimit të pushtimit.

Kryeprokurori i gjykatës, Karim Khan e kishte treguar më herët se planifikonte nisjen e një hetimi mbi ngjarjet në Ukrainë sa më shpejt që të jetë e mundur, por referimi i bërë nga 38 vende- përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë”, i krijoi mundësinë që ajo të nisë menjëherë, pa qenë nevoja për aprovim gjyqësor.

Një prej këtyre vendeve, është edhe Shqipëria. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi se bota nuk do ta pranojë kurrë këtë që po bën Rusia. “Shqipëria  bashkon forcat me 37 aleatë dhe partnerë të tjerë për të referuar situatën në Ukrainë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Rusia duhet të hetohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë. Bota nuk do ta pranojë kurrë agresionin e paligjshëm”, ka shkruar Xhaçka. Një referim i tillë do të thotë se prokurori nuk duhet të marrë një miratim nga gjyqtarët përpara se të çelë hetimin.

Top Channel