Me rreth gjysmë milioni banorë, Mariupol është qyteti i 10-të më i madh në Ukrainë, por vendodhja e tij strategjike në bregun verior të detit Azov, e shndërron qytetin në një objektiv kyç për ushtrinë ruse.

Për këtë arsye, Mariupoli prej ditësh po bombardohet nga forcat ruse dhe po izolohet gjithnjë e më shumë nga pjesa tjetër e vendit, me rrezikun se mund të pushtohet nga Rusia në ditët në vijim, siç ndodhi me Kherson, një qytet afër grykëderdhjes së lumit Dnieper në jugperëndim të vendit.

Pushtimi i Mariupolit do t’i krijonte mundësinë ushtrisë ruse të bashkohej me zonat e pushtuara të Krimesë dhe një pjese në Ukrainën jugore, disa zona të vendosura tashmë nën kontrollin e Donbass, rajonit ku ndodhen republikat e vetëshpallura të Donteskut dhe Luhanskut.

Territoret ukrainase që janë drejtuar prej vitesh nga separatistët e mbështetur nga Rusia mund t’i bashkohen pjesës së ushtrisë ruse të pranishme në Krime, duke intensifikuar kështu aktivitetet ushtarake në zonën jugore të Ukrainës.

Për shkak të sulmeve të vazhdueshme, ditët e fundit është bërë gjithnjë dhe më e vështirë për të mësuar rreth asaj se çfarë po ndodh në Mariupol. Nënkryetari i bashkisë së qytetit, Serhiy Orlov, i tha BBC se qyteti “është afër një katastrofe humanitare, pasi u bombardua për 15 orë rresht të mërkurën. Ushtria ruse po përdor të gjitha armët e veta dhe po përpiqen të shkatërrojnë qytetin”.

Ushtarët rusë janë pozicionuar deri më tani disa kilometra larg qytetit, i cili është pothuajse plotësisht i rrethuar. Sulmet e tyre janë përqëndruar në shkatërrimin e termocentraleve dhe rrjetit të ujët të pijshëm, për pasojë në shumë pjesë të qytetit ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe mungesë uji. Po ashtu, edhe qasja në internet është e vështirë dhe kjo e vështirëson komunikimin mes banorëve, të cilët përpiqen të shkëmbejnë informacion mbi zonat që sapo janë bombarduar.

Referuar të dhënave, sulmet ruse, duket se në shumë raste nuk i kanë kursyer zonat e banuara. Autoritetet ukrainase thanë se qindra njerëz mund të kenë vdekur, por nuk ka asnjë mundësi për të bërë vlerësime të sakta, pasi disa zona të qytetit vazhdojnë të bombardohen dhe për këtë arsye është e pamundur të arrihet deri tek ata për të gjetur trupat e pajetë dhe për t’i numëruar.

Ushtria ukrainase është e pranishme në zonë dhe po kryen lloje të ndryshme operacionesh për të frenuar afrimin e ushtarëve rusë, por shpërpjestimi i forcave ushtarake ka filluar të jetë i dukshëm.

Duke pasur parasysh vendodhjen e qytetit, banorët e Mariupolit, ishin përgatitur për ditë shumë të vështira vetëm pak ditë pas fillimit të operacioneve ushtarake ruse. Deri më tani, nuk ka një përllogaritje të saktë për numrin e banorëve të mbetur në Mariupol, por tashmë duket shumë qartë që pjesa më e madhe e tyre nuk kanë mundësi të largohen, për shkak të sulmeve ruse të vazhdueshme.

Brenda një kohe të shkurtër, Mariupol, mund të bie nën kontrollin e ushtrisë ruse, siç ndodhi të enjten në mëngjes me Kherson, një qytet që në dy ditët e fundit ishte përpjekur t’i rezistonte intensifikimit të sulmeve ruse.

Kherson ka më pak se 300 mijë banorë dhe është qyteti më i madh i pushtuar deri më tani nga Rusia në Ukrainë. Ai ka një pozicion tepër strategjik, pasi ndodhet në veriperendim të Krimesë dhe 100 km në lindje të qytetit të Odesës, i cili synohet të pushtohet nga forcat ruse me qëllimin për të fituar kontrollin e Ukrainës jugore.

Top Channel