Manjati rus gjendet i varur në garazhin e shtëpisë në Britani, disa ditë pas pushtimit të Ukrainës (fotot)

03/03/2022 16:41

Trupi i Mikhail Watford u gjet nga një kopshtar të hënën në pronën e tij luksoze të Virginia Water, në Surrey, në juglindje të Britanisë.

66 vjeçari baba i tre fëmijëve, kishte bërë pasurinë e tij me rafineri nafte në Ukrainë dhe më pas ngriti një kompani pronash të patundshme në Britani.

Policia vendase tha se po heton vdekjen me “seriozitet të lartë” mes dyshimeve se ai mund të ketë qenë një objektiv i Moskës, siç ka ndodhur me disa vdekje të dyshimta të rusëve në Britani.

Një mik i familjes tha: “Gjendja e tij mendore mund të jetë ndikuar nga situata në Ukrainë. Sigurisht që koha e vdekjes së tij dhe sulmi i ushtrisë ruse në Ukrainë nuk janë koinçidencë”.

Një tjetër bashkëpunëtor sipas tabloidit britanik The Sun, tha: “Vdekja e tij ngre shumë pikëpyetje, prandaj është natyrale që të ngrihen spekulime”.

Pas ardhjes në Angli në vitet 2000, zoti Watford kishte ndryshuar emrin e tij, nga Tolstosheia që quhej më parë.

Ai jetonte me gruan e tij nga Estonia, Jane, dy fëmijët e tyre dhe një djalë që ka pasur nga martesa e parë, në vilën me vlerë më shumë se 20 milionë euro.

Çifti ishin shfaqur së fundmi në një artikull të mediave ku thonin se po shisnin shtëpinë e tyre, ku tregonin gjithashtu për stilin ekstravagant të jetesës me avionë privatë dhe prona rurale në fshatra britanikë.

Nëna ruse e të ndjerit jetonte një një banesë ngjitur me familjen dhe ishte në shtëpi kur u gjet trupi i të birit.

Një prej burimeve tha: “Kjo është tronditëse pasi Mikhail kishte gjithçka për çka të jetonte.

“Kishte një grua të bukur, fëmijët dhe një shtëpi ëndërrash, kjo nuk ka kuptim”.

Policia e Surrey tha se po heton mbi ngjarjen por deri tani nuk ka rrethana të dyshimta dhe zoti Watford besohet se ka vrarë veten.

FOTO GALERI
1/3
Mikhail jetonte me gruan e tij nga Estonia, Jane, dy fëmijët e tyre dhe një djalë që ka pasur nga martesa e parë

Top Channel