Kina mohon se kishte patur dijeni paraprake për sulmin e Rusisë

03/03/2022 21:26

Kina mohoi njoftimet se kishte patur njohuri paraprake për sulmin e Rusisë ndaj Ukrianës dhe se i kishte kërkuar Moskës ta shtynte fillimin e sulmit deri në përfundim të Lojërave Olimpike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin tha sot se artikulli i gazetës ‘New York Times’ ishte “thjesht një lajm i rremë, zhvendosje faji dhe i neveritshëm”.

Gazeta ‘New York Times’ citonte një raport të zbulimit perëndimor, të konsideruar të besueshëm, sipas të cilit zyrtarë të lartë kinezë kishin deri diku dijeni të drejtpërdrejtë mbi planet, apo synimet për luftë të Rusisë përpara së të niste sulmin.

Kina po ashtu tha se ajo abstenoi për rezolutën e djeshme të OKB-së që kërkonte ndalimin e menjëhershëm të sulmit të Moskës ndaj Ukrainës dhe tërheqjen e të gjitha trupave ruse, pasi sipas Pekinit, “projektrezoluta nuk i ishte nënshtruar konsultimeve të plota me të gjithë vendet anëtare dhe nuk merrte parasysh historinë dhe kompleksitetin e krizës aktuale”.

Top Channel