
Një javë pas nisjes së sulmit mbi Ukrainë, forcat ruse kanë marrë nën kontroll qytetin e rëndësishëm port në jug të vendit, Kherson, e pari që kalon krejtësisht nën kontrollin e trupave të Moskës.
Kryebashkiaku Igor Kolykhaev tha se ushtarët e Moskës hynë deri në ndërtesën e bashkisë dhe vendosën ndalim qarkullimin për të gjithë banorët. Ai praktikisht u lut që të mos qëllohet mbi civilët, duke i siguruar rusët se nuk ka ushtarë ukrainas në qytet.
Nga ana tjetër, Kolykhaev u bëri thirrje rezidentëve të ndjekin kërkesat e forcave ruse, me qëllimin që të mos ketë humbje jete, por edhe që flamuri ukrainas të vazhdojë të valëvitet. Kushtet përfshijnë: vendosjen e shtetrrethimit nga ora 20.00 deri në 06.00, dalja në rrugë do të behet maksimumi dy persona e jo grupe më të mëdha, vetëm makina me ushqime, ilace dhe furnizime të tjera do të lejohen të hyjnë në qytet dhe ato duhet të lëvizin me shpejtësi minimale
“Pushtuesit rusë janë cdo cep të Khersoni dhe janë shumë të rrezikshëm”, tha për AFP-në Gennady Lakhuta, kreu i administratës rajonale.
Një sërë qytetesh ukrainase gjenden nën bombardime intensive, të cilat e bënë të mërkurën ditën më shkatërrimtarë të luftës deri më tani. Qindra të vdekur llogaritet të kenë shkaktuar raketat ruse në Mariupol. Disa luftanije ruse kanë lënë Krimenë e po i drejtohen Odesës.
Paralajmërohet që një sulm gjigand me anijë amfibe po përgatitet mbi qytetin e tretë kryesor të Ukrainës. Por ndonëse në Kiev sakaq ka pasur 4 shpërthime të reja të fuqishme, kryeqyteti ende po reziston. Përpjekjet ruse për të rrethuar Kievin janë ngadalësuar dhe autokolona gjigande e niosur drejt tij nga veriu, gjatë ditës së djeshme mezi lëvizi nga vendi.
Rusia vetë pranoi për të parën herë se ka pësuar edhe ajo humbje të thella nga inkursioni me gati 500 trupa të vrarë dhe 1.600 të plagosur. Ukraina pretendon se humbjet e Moskës janë shumë më të mëdha se kaq.
Top Channel