Ukraina në BE, NYT: Anëtarësimi më i vështirë nga sa duket, Shqipëria ende pret!

02/03/2022 16:38

Fjalimi i flaktë i presidentit ukrainas para BE-së, preku shumë europarlamentarë që e priten atë me ovacione.

Zelensky kërkoi që vend i tij t`i bashkohet sa më shpejt Bashkimit Europian, njëherazi tregu më i madh tregtar i globit, i cili ka ndihmuar gjithashtu të ruhet paqja në Europë prej dekadash.

“Ne e treguam se jemi si ju, ju na tregoni se s`do të na braktisni”, u shpreh mes të tjerash ai. Fjalët e Zelenskyt u pritën me shumë ngrohtësi nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, e cila deklaroi se “Ukraina është një prej nesh dhe ne duam që të jetë në BE”.

Por inkurajimi i saj, ishte në masë të madhe simbolik, thotë New York Times. Bashkimi me bllokun nuk është një procës aq i thjeshtë. Që një vend të anëtaresohet në BE, lipset që kandidatura e tij të aprovohet unanimisht nga të 27 shtetet anëtare.

Duhet po kështu që sistemi i tij politik, gjyqësor dhe ekonomik të jetë i pajtueshëm me atë të BE-së duke adoptuar ligjet e përbashkëta të bllokut, si dhe 80 mijë faqe rregulla, që nisin nga standartet mjedisore e deri tek normat e higjenës ushqimore.

Edhe pse ka precendetë si ato të Suedisë dhe Finlandës që arritën të anëtarësoheshin vetëm pas pak vitesh, një qasje e rrufeshme në BE është tejet e rrallë. Aq më tepër kur vende si Shqipëria janë në pritje prej vitesh, vazhdon shkrimi, për Ukrainën duket se aderimi nuk mund të jetë i rrufeshëm.

Parlamenti Evropian miratoi të martën një rezolutë me të cilën dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë, në të cilën përfshihej dhe thirrja drejtuar institucioneve europiane që t`ia miratojnë sa më shpejt asaj statusin e vendit kandidat.

Top Channel