Kryetari i Grupit të partisë Socialiste Taulant Balla, është zhvendosur në Lushnje për fushatë. Edhe kabineti qeveritar është vënë në dispozicion të Eriselda Sefës, kandidate për kryetare bashkie nën siglën e Partisë Socialiste.
Eriselda Sefa 41vjeçe, njihet si njeri e afërt e ish-kryebashkiakut Fatos Tushe. Ajo ishte nënkryetare e bashkisë dhe u komandua kryetare kur u arrestua për korrupsion Fatos Tushe.
Njëjtë me kolegët e komanduar në bashkitë e tjera, as Eriselda Sefa nuk dha dorëheqjen për të nisur një garë të barabartë, por shfrytëzoi të gjitha asetet dhe burimet njerëzore në favor të fushatës së saj.
“Çdo zyrtar publik i cili shkel kodin zgjedhur dhe e vendos pozicionin e tij në funksion të fushatës elektorale dënohet nga 3-6 muaj burg” u shpreh Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare
Megjithatë ky detyrim ligjor uk e ka penguar kabinetin qeveritar të vihet në dispozicion të fushatës. Thuajse në çdo takim Sefa shoqërohet nga
Taulant Balla, dhe deputetet Antoneta Dhima e Tatiana Piro. Përkrah kandidates së Lushnjes është shfaqur në takime të ndryshme edhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Krah Eriselda Sefës është shfaqur edhe kreu i emergjecave civile Haki Çako, duke inspektuar një investim të bashkisë Lushnje mbi lumin Shkumbin. Madje edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka gjetur një arsye të çuditshme, për të inspektuar investimet në spitalin e Lushnjes, duke u shfaqur krah Eriselda Sefës vetëm tre ditë para nisjes së fushatës zyrtare.
“Kodi zgjedhor e ka përcaktuar se çfarë duhet të raportojmë qoftë për qeverinë qëndrore qoftë për atë lokale. Nga 31 Janari deri më 2 Mars, asnjë nga institucionet aq më tepër bashkitë nuk mund të promovojë aktivitete që kanë qenë të planifikuara. Këto do të jenë shkelje flagrante megjithatë jemi në fazën kur po raportohet’ u shpreh Gerta Meta, Eksperte e Çështjeve Zgjedhore
Tani, të do të shohim pasurinë e Eriselda Sefës. Ligji i famshëm 7501 për tokën duket se paska qenë shumë favorizues për familjen e saj, duke e bërë pronare të mbi 23 mijë metra katrorë tokë. Referuar deklaratës së Pasurisë, nga kjo sipërfaqe Eriselda zotëron 25%.
Po ashtu Sefa është pronare me 25% e një ndërtese dykatëshe. Ajo deklaron se nga shitja e fermës së gjedhëve në pronësi të të atit, ka financuar me 50 % blerjen e një apartamenti në Lushnje me bashkëshortin. Kryebashkiakja në detyrë deklaron se posedon një veturë që ia kanë dhuruar vëllezërit me rastin e 30-vjetorit.
Top Channel